E nisi karrierën e saj muzikore në një skenë talentesh dhe i përforcoi pozitat e saj prej artisteje po në një skenë talentesh. Pas “Voice of Albania 4” Semi Jaupaj vazhdon të jetë e angazhuar me muzikë. Jo vetëm në skena të mëdha si ajo e Pallatit të Kongreseve në koncertin e Anastasias, por edhe në miniskena, siç është bari që menaxhon së bashku me bashkëshortin Bojken Lako.

Hera e fundit që të pamë në një skenë të madhe ishte koncerti i Anastasias në Tiranë. Nuk duhet të kenë qenë emocione të zakonshme, apo jo?
Sigurisht, nuk mund të ishin emocione të zakonshme përballë një këngëtareje aq të famshme. Sidomos përpara forcës së madhe të femrës që ajo ka brenda vetes, ishte një emocion i dyfishtë.

Pas eksperiencës si finaliste në “The Voice of Albania 4” si ka rrjedhur jeta artistike?
Jeta artistike e ngjeshur do thoja. Me disa projekte, këngë të reja dhe në pritje të realizimit të një klipi. Sigurisht të gjitha duan impenjimin dhe kohën e vet.

A e ndihmon një këngëtar përballja me zërat e tjerë, konkurrimi dhe lufta për të dalë i pari në një spektakël talentesh?
Përfundimisht po. Mendoj se ndihmon më shumë nga ana psikologjike, të bën më të fortë dhe më të gatshëm për t’u mbrojtur. Mbi të gjitha të rrit vetëbesimin, përveçse në njëfarë mënyre je me këmbë në tokë, e ndërgjegjshme për aftësitë e tua.

Bashkë me Bojken Lakon je pjesë e një projekti muzike dhe biznesi bashkë. Na trego pak çfarë ndodh në “Bokland”?
Në fakt “Bokland” është një lokal (ne e quajmë stage B) që po funksionon mjaft mirë. Artistë të ndryshëm shqiptarë dhe së fundmi grupe të huaja luajnë muzikën e tyre live në Bokland dhe është mjaft interesante se si artistët mblidhen aty për të dëgjuar njëri-tjetrin, por edhe për të mbështetur artistët e rinj. Më pëlqen shumë fakti që ata që vijnë për t’u argëtuar respektojnë oraret e eventeve duke respektuar kështu dhe artistin që performon. Jam vërtet e lumtur që kam mundur t’i shijoj të gjitha eventet.

A e ndihmon muzika marrëdhënien tuaj si bashkëshortë, apo ndodh e kundërta, marrëdhënia e ndihmon muzikën?
Të dyja bashkë në fakt. Muzika është ajo që na njohu. Por edhe lidhja jonë ndikon shumë në muzikën që ne bëjmë.

A ka qenë edhe për ty vera sezon krijimtarie dhe frymëzimi, siç ndodh me pjesën më të madhe të këngëtarëve që nxitojnë të publikojnë këngë dhe videoklipe?
Për mua këtë verë ka qenë krejt e kundërta. Më shumë ka qenë një periudhë planesh sesa videoklipesh. Por po mendoj që të xhiroj klipin shumë shpejt dhe jam në fazë pune me dy këngë të reja. Pra mund të them që ka qenë një periudhë frymëzimi dhe pune bashkë.

A do kishe një mesazh për të tjerë këngëtarë të njohur, që ndoshta nuk e kanë guximin që pate ti, për t’u përballur në skenë me emra të panjohur?
Gjatë edicionit të shkuar, kur unë konkurrova në “Voice of Albania 4”, jam sulmuar shpesh për këtë fakt, meqë isha një këngëtare që kisha dalë edhe më parë në skenë e ekran dhe jo krejt e panjohur si konkurrentët e tjerë. Por ata dhe gjithë të tjerët duhet të kuptojnë që kjo është konform të gjitha rregullave të formatit që e lejon një gjë të tillë. Në vende të tjera ku gjithashtu zhvillohet “Voice” ka ndodhur shumë shpesh që të konkurrojnë edhe këngëtarë me albume të hedhura në treg. “Voice” nuk është konkursi muzikor që zbulon talente, “Voice” kërkon të zbulojë zërin më të mirë. Unë mendoj që duhet vërtet guxim. Për mua ka qenë një eksperiencë e vlefshme.
(m.k/SummerPages/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb