Sëmundje kardiovaskulare quhen sëmundjet që prekin zemrën dhe enët e gjakut. Diagnoza që zë peshën kryesore përsa i përket sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë është sëmundja artereosklerotike. Kjo sëmundje prek enët e gjakut që ushqejnë zemrën të cilat quhen arterie koronare; enët e gjakut që ushqejnë trurin dhe enët e gjakut periferike që ndodhen kudo në trup.

Sëmundje të tjera që bëjnë pjesë në këtë grup janë:
1- Sëmundjet që prekin muskulin e zemrës dhe që çojnë në dobësim të forcës së tij, pra në insufiçencën kardiake apo thënë ndryshe pamjaftueshmëri e zemrës.

2- Sëmundjet valvulare janë patologjitë që prekin valvulat e zemrës. Këto sëmundje mund të jenë të lindura ose të fituara. Sëmundje të fituara kanë si shkak kryesor sëmundjen reumatizmale që mund të ketë kaluar një njeri në fëmijëri apo adoleshencë dhe që manifestohet në moshë të rritur me sëmundje valvulare të zemrës.

3- Sëmundjet e zemrës që manifestohen me aritmi. Aritmia mund të jenë funksionale pra që nuk lindin në kushtet e dëmtimeve strukturore kardiake ose më serioze për jetën siç janë ato valvulare; të muskulit të zemrës apo e arterieve koronare.

4- Insulti cerebral që mund të jetë me natyre iskemike, i cili ndodh kur një tromb bllokon enën e gjakut që ushqen një zonë të caktuar të trurit apo me natyrë hemorragjike kur kemi çarje të enës së gjakut. Zakonisht insulti me natyrë hemorragjike shkaktohet nga hipertensioni arterial.

Faktorët e modifikueshëm, të rrezikut janë:
• Diabeti- personat diabetikë janë dyfish më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje artereosklerotike të enëve të gjakut kundrejt jodiabetikëve. Kemi dy tipe, diabeti tip I që zakonisht është me origjinë virale pra kemi të bëjmë me shkatërrim të qelizave të pankreasit që prodhojnë insulinën dhe nuk prodhohet më insulinë dhe diabeti tip II që mund të shfaqet nga mbipesha, mungesa e aktiviteti fizik, nga mënyra e ushqyerjes me shumë kalori, tek të cilët prodhohet insulinë por ajo nuk vepron në qeliza.

• Hipertensioni– Te një person me shifra të larta të tensionit arterial, enët e gjakut janë në një presion më të lartë i cili çon në prishje të shtresës së brendshme të enëve të gjakut që quhet endotel dhe prisha e tij çon në formimin e pllakës artereosklerotike, deri në mbyllje nga trombi.

• Dislipidemitë- Yndyrnat përfshijnë kolesterolin dhe trigliceridet. Dy komponentët kryesor të kolesterolit janë: LDL kolesteroli, që është komponenti i dëmshëm si dhe komponenti i mirë i quajtur HDL kolesterol, ku ky i fundit pastron gjakun nga sasia e tepërt e kolesterolit. Personat që kanë një profil të dëmshëm lipidik kanë rritje të koleserolit të keq dhe ulje të kolesterolit të mirë.

• Duhanpirja- Kjo është pjesë e stilit të jetesës dhe është një nga armiqtë kryesor të enëve të gjakut. Me ndërprerjen e duhanit, ka mundësi që të zhduken edhe efektet e tij të dëmshme. Nuk është kurrë vonë për të ndaluar duhanin. Është shumë e rëndësishme për të mos zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, pasi vazhdimi i pirjes së duhanit pas diagnostikimit me sëmundje të zemrës mund të konsiderohet “vetvrasës”.

• Mënyra e të ushqyerit- Shumë e rëndësishme është ushqyerja me një dietë të shëndetshme; konsumimi i vajit të ullirit, frutave dhe perimeve dhe konsumimi i kontrolluar i yndyrna shtazore.

• Aktiviteti fizik- Ne futemi tek popujt sedentar, që nuk kryejnë aktivitet. Pra hamë keq dhe nuk lëvizim. Duhet të bëhet aktivitet fizik i moderuar deri në të fuqishëm, të paktën 2 orë e 30 min/ javë. Nëse aktiviteti që zhvillohet është aerobik i fuqishëm, mjafton edhe 1 orë e gjysmë/ javë. Kush nuk ka kohë për aktivitet ushtrimor, mund edhe vetëm të ecë deri në 30 minuta/ditë. Aktiviteti fizik luan një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e kolesterolit të mirë në organizëm.

• Stresi- Nuk është një faktor i mirëfilltë rreziku por ai nxit shfaqjen e sëmundjes artereosklerotike. Stresi nxit shpërthimin e hormoneve- katekolaminave, të cilat janë vazo ngushtuese dhe bëjnë ngushtimin e enëve të gjakut të zemrës, të cilat nëse janë edhe të shtresëzuara nga pllakat arterosklerotike, mund të çojnë në mbylljen totale të enës së gjakut, duke shkaktuar infarktin.

• Preklampsia- Që është hipertensioni gjatë shtatzënisë. Preklamsia shfaqet në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe është një faktor i ri rreziku. Është parë që këto femra kanë probabilitet më të lartë të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare në të ardhmen, kundrejt femrave që nuk kanë patur preklampsi.

Kush është i shëndetshëm duhet të tregojë shumë kujdes për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Për këtë është e rëndësishme krerja e analizave në mënyrë periodike. Tensioni duhet matur minimalisht një herë në vit, që rreth moshës 20 vjeç. Një herë në tre vjet, duke filluar po në moshë të re duhet vlerësuar profile lipidik, pra yndyrnat. Këto kontrolle janë shumë të rëndësishme pasi ka situata të trashëguara dhe duke bërë këto kontrolle të vazhdueshme arrihet të diagnostikohet në kohë dhe të parandalohet përkeqësimi i këtyre faktorëve dhe shfaqja e sëmundjeve të zemrës./shendeti/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb