Këshilltarja e pavarur e Senatit, e cila interpreton procedurat parlamentare, tha të enjten se demokratët duhet të heqin dorë nga përfshirja në projektligjin masiv të shpenzimeve, një masë që synon t’u sigurojë miliona emigrantëve qëndrim të përkohshëm në SHBA.

Vendimi shihet si goditja më e fundit ndaj një prioriteti të hershëm të kësaj force politike, progresistëve dhe aktivistëve, që operojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve.

Opinioni i Elizabeth MacDonough, interpretuesja jopartiake e rregullores së Senatit, nënkupton që demokratët duhet ta tërheqin propozimin nga paketa me vlerë prej rreth 2 trilionë dollarësh. Projektligji përmban shpenzime mbi çështje të kujdesit shëndetësor apo ndryshimeve klimatike, para që do të siguroheshin kryesisht duke rritur taksat ndaj korporatave dhe të pasurve.

Në momentin që Senati do të shqyrtojë projektligjin masiv të shpenzimeve, i cili aktualisht është i bllokuar, demokratët pritet të përpiqen të ringjallin çështjen e emigracionit, me qëllimin për t’u siguruar emigrantëve një mënyrë për t’u bërë banorë të përhershëm apo shtetas të SHBA-së.

Por një përpjekje e tillë do të përballej me kundërshtime të forta të republikanëve dhe ndoshta nga disa demokratë, gjë që do të mjaftonte që ligji të dështonte, ndërsa Senati është i ndarë 50 me 50.

Opinioni i zonjës MacDonough nuk përbën një befasi. Kjo është hera e tretë që nga shtatori që ajo thotë se demokratët do të shkelnin rregullat e Senatit duke përdorur paketën e shpenzimeve për të ndihmuar emigrantët. Kjo shihet si një goditje për organizatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve të cilat shpresonin të përfitonin nga kontrolli që gëzojnë demokratët në Kongres, për të avancuar mbi këtë çështje, çka ka qenë e pamundur për dekada.

Vendimi i interpretueses jopartiake të rregullores së Senatit, është një tjetër dështim për paketën sociale dhe ekonomike të demokratëve. Presidenti Biden u detyrua gjithashtu të pranonte se puna e Senatit rreth projektligjit do të shtyhej të paktën deri në janar për shkak të ngecjes së negociatave me senatorin demokrat Joe Manchin, i cili vazhdon të kërkojë një reduktim të faturës së projektligjit dhe rikonceptim të fushave që ai do të mbulojë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb