Senati amerikan konfirmoi me shumicë dërmuese votash zotin Christopher Wray në postin e shefit të Byrosë Federale të Hetimeve.

Me 92 vota senati vendosi që ai të marrë përsipër drejtimin e agjencisë e cila ishte në qendër të kundërthënieve që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

“Kjo është kohë e vështirë për të marrë një punë të vështirë”, tha senatori demokrat Amy Klobuchar nga Minesota gjatë debatit mbi emërimin e Wrayt. “Drejtori i mëparshëm i FBI-së, siç e dimë, u shkarkua për shkak të hetimit rus” mbi ndërhyrjen e Rusisë në fushatën presidenciale.

Por, zoti Wray tha në seancën dëgjimore për konfirmimin e tij muajin e kaluar se kishte vetëm “një mënyrë ” për të bërë punën – “me pavarësi të rreptë, duke luajtur drejt, besnik ndaj ligjeve tona dhe besnik ndaj praktikave më të mira të institucionit.”

Wray, 50 vjeçar, ka një karrierë të shquar si prokuror federal dhe një diplomë drejtësie nga Universiteti në Yale.

Ai ishte ndihmës prokuror i përgjithshëm gjatë administratës së presidentit George W. Bush dhe ka përvojë të konsiderueshme në rastet e sigurisë kombëtare.

Wray zëvendëson James Comeyn, i cili u përjashtua nga presidenti, Donald Trump, në muajin maj, derisa FBI po hetonte pretendimet se fushata e Trumpit kishte marrëveshje të fshehta me rusët në një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016.

Presidenti Trump tha se FBI ishte me probleme nën drejtimin e Comeyt dhe se agjentët dhe të tjerët në byro, kishin humbur besimin në të.

Zyrtarët e FBI-së e mohuan këtë duke nxitur shumëkënd në Washington që të spekulojë se presidenti Trump përjashtoi Comeyn, sepse ai nuk ishte i gatshëm të përmbushë dëshirën e presidentit për t’u tërhequr nga hetimet mbi përzierjen ruse.

Presidenti Trump, kritikoi po ashtu Comeyn për shkak të vendimit që të mos ndjek ish kandidaten demokrate për postin e presidentit, Hillary Clinton, për mënyrën se kishte shfrytëzuar llogarinë e saj në postën elektronike si sekretare e shtetit.

Drejtorët e FBI-së emërohen për një mandat dhjetë vjeçar dhe prej tyre pritet të jenë objektiv dhe jo partiak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: