Nga: Jeton Selimi*

Drejtuesit e Partizanit kanë frikë nga reagimi i tifozërisë së kuqe, e cila pas skandalit të Kupës së Shqipërisë, nuk e ka gëlltitur dot tradhtinë e bërë nga klubi dhe janë revoltuar duke kërcënuar se do të marrin masa shembullore. Në një situatë të tillë, të gjendur përballë presionit të madh të tifozëve, drejtuesit e Partizanit kanë vendosur që ndeshjen e vlefshme për kampionat, kundër Teutës, të mos e luajnë në kryeqytet, por në ndonjë nga fushat pranë. Sipas burimeve brenda klubit të kuq, ndeshja me shumë mundësi do të zhvillohet në qytetin e Krujës. Një ditë përpara ndeshjes që luhej në Laç, ku Partizani u mund 3-0 ndonëse kishte fituar 2-0 ndeshjen e parë, përfaqësues së klubit kanë qenë në takim me zyrtarë të stadiumit “Qemal Stafa”, ku kanë kërkuar që të bëhet çmos që fusha e re të mos inaugurohej nga ndeshja Partizani-Teuta. Praktikisht kjo ide e drejtuesve të Partizanit ka qenë njësh me një pjesë të FSHF-së, që investimin e bërë e shikon si më të përshtatshëm që të inaugurohet në derbin e madh të Shqipërisë, Tirana-Partizani, i cili do të luhet më 28 shkurt. Ndërkohë, brenda ekipit, situata nuk është aspak e qetë. Lojtarët që nuk janë bërë palë me këtë teatër të drejtuesve, kanë kërkuar nga klubi që ndeshja me Teutën të zhvillohet në kryeqytet dhe në “Qemal Stafa”, duke qenë të gatshëm që të përballen me tifozërinë e irrituar, e cila, nga deklarata e bërë sot në faqen më të madhe të tyre në rrjetin social “Facebook”, u ka kërkuar llogari drejtuesve për turpin e Laçit. Situata nuk është aspak e qetë në ambientin e kuq. Drejtuesit i druhen reagimit të tifozërisë së prekur në sedër nga ato 120 minuta të turpshme në Laç dhe do të bëjë çmos që të shmangë kontaktin me ta, duke shpresuar që situata të qetësohet në ditët në vijim. Ky qëndrim kuptohet lehtësisht ndërsa sheh se në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, Partizani nuk ka postuar asgjë që prej ditës së hënë, ndërsa ka nxituar të fshijë çdo postim që ishte kundër drejtuesve të klubit pas ndeshjes që Laçi e fitoi 3-0, ndërsa Partizani e luajti me formacionin e tretë dhe ku trajneri Duro, veç dy titullarëve, kishte hedhur dy tre lojtarë të stolit dhe elementë nga ekipi i 19-vjeçarëve që drejtohet nga Genc Tomorri.
Demiri
Nuk ka munguar dhe reagimi i ish-kapitenit të Partizanit, Ertan Demirit, që ndonëse është rikthyer në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, është shumë i vëmendshëm në ngjarjet që kanë të bëjnë me ish-klubin e tij. Demiri ka postuar një mesazh për mediat, ku shfaqet portieri dhe kapiteni i Real Madridit, Iker Kasijas, me shprehjen e tij të famshme të pak sezoneve më parë: “Tifozët kanë gjithnjë të drejtë”. E kuptueshme që ish-kapiteni pozicionohet në krahun e ish-tifozëve të tij, për të cilët ruan një konsideratë të lartë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: