Një anëtar i lartë republikan i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në senatin amerikan thotë se edhe nëse Presidenti Donald Trump refuzon të zhbllokojë fondin prej 250 milion dollarësh në formë ndihmash ushtarake të parashikuara për Ukrainën, Kongresi do të japë fonde të reja për këtë qëllim.

Senatori Ron Johnson, republikan nga shteti Uiskonsën dhe kryetar i Nënkomisionit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, i tha të mërkurën Shërbimit Ukrainas të Zërit të Amerikës se edhe nëse presidenti Trump anulon fondet për të ndihmuar vendin të luftojë agresionin rus siç ishte planifikuar, Kongresi do të miratojë një legjislacion për t’i dhënë përsëri këto fonde.

“Pavarësisht nga vendimi që ai mund të marrë, jam shumë i bindur se Kongresi kur të shqyrtojë buxhetin e vitit të ardhshëm fiskal, i cili është shumë pranë, më 1 tetor, do të sigurojë që edhe nëse Presidenti Trump vendos të mos lejojë shpenzimin e këtyre fondeve, përmes procesit legjislativ ai të mund të mos ketë asnjë mundësi tjetër përveç se të lejojë livrimin e tyre,” tha senatori Johnson, i cili sapo është kthyer nga një turne në Evropën Lindore.

Senatori Johnson, së bashku me kolegun e tij të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorin Chris Murphy, demokrat nga Kënektikati, nuk u lejuan të vizitojnë Rusinë, si pjesë e një delegacioni dypartiak të Kongresit që gjithashtu kishte planifikuar ndalesa në Ballkan dhe Ukrainë.

Senatori Mike Lee, republikan nga Juta, megjithatë u lejua të vizitonte Rusinë në atë që disa po e quajnë një vendim të Kremlinit për të favorizuar ligjvënësit amerikanë që kanë votuar kundër sanksioneve ndaj Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb