UASHINGTON– Të zgjedhurit demokratë akuzuan sot një senator republikan se kishte kërkuar fshehjen e një raporti sekret për programin e kundërshtuar të torturave të CIA-s në vitet 2000 duke kërkuar kopje të këtij dokumenti.

Sipas të zgjedhurve të opozitës, senatori republikan, Richard Burr, i cili drejton komisionin e Shërbimit Sekret të Senatit, u ka kërkuar këtë javë në mënyrë të fshehtë agjencive qeveritare t’i dërgonin kopjet e raportit të plotë për programin mbi marrjen në pyetje dhe ndalimin nga CIA, hartuar në vitin 2014 nga ky komision.

Tetë kopje i janë transmetuar Shtëpisë së Bardhë dhe agjencive të ndryshme qeveritare.
Burr theksoi dje se kërkonte t’i rikuperonte për shkak të informacioneve të ndjeshme që përmbanin.

“Ashtu si ka bërë komisioni me të gjitha informacionet e klasifikuara dhe të mbajtura sekret, do të merrja masat e nevojshme për të mbrojtur burimet dhe metodat e ndjeshme që përmbante ky raport”, shkroi ai në një komunikatë.

Por demokratët i tremben faktit se senatori republikan do të shkatërrojë të gjitha kopjet e këtij raporti dhe se e vërteta e këtij programi të CIA-s hartuar pas sulmeve të 11 shtatorit nuk do të zbulohet kurrë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb