PRISHTINË- Dhjetëra serbë të veriut të Kosovës me automjetet e tyre kanë bllokuar të hënën rreth mesditës për 40 minuta pikën kufitare në Jarinje, duke penguar në këtë mënyrë qarkullimin në drejtimin Kosovë-Serbi dhe anasjelltas, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, shkak për këtë bllokadë të kufirit është aplikimi i caktimit të vlerës doganore për mallrat nga Serbia që po bëhet nga Prishtina dhe jo siç ishte bërë deri tani në kufi.

“Tani drejtuesit e kamionëve me mallra që hyjnë nga Serbia dhe që kanë destinacion veriun e Kosovës, duhet të presin derisa doganierët te konsultohen me kolegët e tyre në Prishtinë për vlerën e doganës së mallit dhe në këtë mënyrë drejtuesit thonë se po paguajnë më shtrenjtë, por edhe po humbin kohë më shumë”, shprehen burimet.

Ata kanë kërkuar që të anulohet një praktikë e tillë e vlerësimit të mallit, në të kundërtën do ta bllokojnë kufirin e Jarinjës dhe të Bërnjakut tërësisht.

Bllokimi ka zgjatur nga ora 12:45 deri rreth orës 13:30 dhe nuk është shënuar ndonjë incident. Mësohet se protesta për bllokim të kufirit të Jarinjës janë paralajmëruar edhe për nesër, nëse nuk ndryshon diçka në këtë drejtim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: