BRUKSEL-Delegacioni serb në Bruksel ishte shumë destruktiv në bisedimet e sotme me palën kosovare. Serbët braktisën takimin në orën 16:30. Bisedimet nga pala serbe u udhëhoqën nga ish shefi i kundërzbulimit ushtarak serb, Dragan Vladisavljeviq.
Mediat raportuan për një përfarim qëndrimesh të raporteve mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, kurse kreyenegociatorja kosovare, Edita Tahiri konfirmoi pas përfundimit të takimit të grupeve punuese se palët janë dakorduar me elementet e planit të zbatimit.

Sipas saj, Kosova do ta marrë kodin telefonik, ndërsa kërkesën në emër të vendit tonë do ta bëjë Austria. Gjithashtu, sipas Tahirit ekziston pajtimi që operatorët nga Kosova e Serbia të bashkëpunojnë në fushën e roamingut me qëllim të zbritjes së tarifave.

Mirëpo, burime pranë Edita Tahirit theksuan të kundërtën e asaj që u deklarua zyrtarisht. Bisedimet sipas tyre sot kanë shkuar keq.

Jo zyrtarisht, këto burime theksuan se serbët kanë qenë desktruktiv gjatë gjithë takimit, madje aq shumë sa që kanë nervozuar së tepërmi edhe zyrtarët e BE-së.

“Serbët kanë qenë jashtëzakonisht destruktiv në takimin e sotëm, cka është parë dhe nga zyrtarët e BE-së, të cilët janë nervozuar së tepërmi. Serbët nuk kanë pranuar asnjë kërkesë të palës kosovare, përfshirë edhe atë për kodin telefonik, për të cilin do të duhej të aplikonte Austria dhe Kosova ta merrte në shfrytëzim. Destruktiviteti i tyre shkoi aq larg saqë braktisën mbledhjen rreth orës 16: 30”, tha për RTK ky burim, duke shtuar se serbët nuk kanë pranuar asnjë kërkesë të Kosovës.

Bisedimet nga pala serbe gjatë ditës së sotme janë drejtuar nga Dragan Vladislavljeviq, ish-shef i shërbimit të fshehtë ushtarak serb. i cili posedon gradën gjeneral brigadier. Ai u emërua drejtor i Zyrës për koordinim të dialogut me Kosovën nga qeveria serbe, në muajin mars të këtij viti. Arsyetimi për emërimin e tij ka qenë forcimi i vijës dhe pozitave të Serbisë në dialogun me Kosovën.

Në anën tjetër, Marko Gjuriq, zyrtar i qeverisë së Beogradit, konfirmoi për mediat serbe për një përafrim qëndrimesh në bisedimet e sotme në Bruksel.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb