Lideri i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe” nga Mitrovica e Kosovës, Aleksandër Arsenijeviç, në një deklaratë për median serbe Danas, ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se Qeveria e Kosovës po përgatit një “Stuhi” të re, pra dëbimin e serbëve nga veriu i Kosovës.

Arsenijeviç pretendon se ekziston një plan për të provokuar konflikte në pjesën veriore të Kosovës, në mënyrë që presidenti Vuçiç, të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të këtyre konflikteve dhe situatës së krijuar.

Ai ka shpjeguar se hapi i radhës që do të merret do të jetë vendimi për njohjen e Kosovës.

Aleksandër Arsenijeviç është kundërshtar i Listës Serbe, partisë së serbëve në Kosovë, pasi i akuzon se nuk punojnë për të mirën e qytetarëve por për përfitimet e tyre.

I riu serb është shfaqur zëshëm sidomos kohëve të fundit, pas arritjes së Marrëveshjes për Energjinë në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, Për të cilën thotë se ajo u intereson vetëm biznesmenëve të Listës Serbe dhe vetëm ata do të përfitojnë, derisa qytetarët do të dëmtohen nga faturat e shtrenjta të energjisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb