Rreth 200 serbë janë tubuar sonte, pas përfundimit të ndeshjes futbollistike Shqipëri-Serbi, afër skajit verior të urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë. Ata, siç shkruan KosovaPress, janë duke festuar fitoren e përfaqësueses serbe në Tiranë, me të shtëna me armë, duke kënduar këngë nacionaliste dhe antishqiptare me flamuj të shtetit serb.

Forca të shtruara të njësisë RSU kanë bllokuar urën duke mos lejuar qasjen mbi të. Situatë pothuajse e ngjashme po zhvillohet edhe në cepin jugor të urës, ku janë tubuar qytetarë të shumtë me flamuj kombëtar shqiptarë dhe duke brohoritur “UÇK! UÇK!”.

Festimi i serbëve ka zgjatur për rreth 20 minuta, e më pas ata janë tërhequr në brendësi të pjesës veriore të qytetit, ndërsa shqiptarët në anën tjetër të urës kanë vazhduar tubimin. Zëvendësdrejtori rajonal i Policisë për veriun, Besim Hoti, tha se serbët në anën veriore të qytetit kanë filluar të largohen nga vendi ku kremtuan fitoren e Serbisë.

“Serbët kanë filluar të largohen nga afërsia e urës. Përveç një feste të vogël në afërsi të urës, nuk ka pasur diçka tjetër. Policia vazhdon të qëndrojë në cepin verior të urës”, tha Hoti. Në anën jugore, vërehet prani më e madhe e shqiptarëve që po qëndrojnë afër urës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: