Gazetari Osman Stafa, në një raportim live nga Mitrovica, ka dhënë detajet e fundit në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Në Zveçan KFOR është përplasur me protestuesit, të cilët në një moment nisën t’i sulmojnë dhe të hedhin drejt tyre mjete piroteknike.

Stafa raporton se sipas burimeve jo zyrtare, raportohet për disa persona të lënduar, ndërkohë që e njëjta situatë me protestat pritet të ndodhë edhe ditën e nesërme.

“KFOR është detyruar të ndërhyjë në Zveçan, një nga komunat që gjatë gjithë ditës ka qenë në një situatë të tensionuar.

Persona të maskuar, të cilët nuk identifikohen dot vendosën të përplasen fizikisht me barrierën e parë që ishte KFOR-i.

KFOR ka qenë me forca të shtuara sepse një situatë e tillë pritej që nga mëngjesi.
Dukej e pritshme gjithçka që do të ndodhte. Situata u përshkallëzua sepse protestuesit nisën të godisnin anëtarët e KFOR dhe të hidhnin drejt tyre mjete piroteknike, çka bëri që KFOR të hedhë ndaj protestuesve gaz lotsjellës, për të bërë të mundur shpërndarjen e tyre.

Raportohet për dy makina të televizioneve të shkrumbuara, përveç dëmtime të tjera si makina të vizatuara apo shpime gomash.

Burime jo zyrtare raportojnë për disa persona të lënduar. E njëjta situatë me protestat pritet të ndodhë edhe ditën e nesërme”, ka deklaruar ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: