Serbia është vendi i vetëm në Evropë i cili nuk i ka vënë sanksione Rusisë. Këto dy vende kanë nënshkruar shumë marrëveshje bashkëpunimi mes vete, në fushën e tregtisë, informatikës, bashkëpunimit digjital dhe teknologjik, si dhe shfrytëzimit të energjisë bërthamore në kushtet e paqes. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq gati gjithmonë e përmend “Rusinë mike”, kur flet për çështjet madhore. Vizita e fundit e presidentit të Rusisë Vladimir Putin në Beograd, ka zgjuar vëmendjen e të gjithë qytetarëve të Serbisë. Nga kjo vizitë kanë kaluar dy muaj, por Vuçiqi ende flet shpesh për qëndrimin e Putinit në Beograd dhe lidhjet e ngushta me Moskën.

Shoqatat e shumta ruso-serbe

Shumica në Serbi beson se Rusia e do popullin serb dhe anasjelltas. Vitet e fundit në Serbi janë krijuar shumë shoqata per ruajtjen e miqësisë dhe traditave serbo-ruse. Vetëm në Nish (qytet në jug të Serbisë) ekzistojnë disa shoqata të këtilla. Më e madhja është shoqata “Naisus”, e cila është themeluar në vitin 2009. Anëtar i kësaj shoqate është edhe gazetari Borivoje Ugrinoviq.

“Familja ime është rritur dhe shkolluar mbi bazën e letërsisë dhe traditave ruse. Babai ka qenë profesor i gjuhës ruse, franceze dhe letërsisë. Të gjithë në shkollë kemi mësuar rusisht. Fëmijët tanë e dinë shumë mirë gjuhën ruse dhe janë të njoftuar me traditat, kulturën dhe edukatën ruse”, thotë për DW Borivoje Ugrinoviq, kryetari i bordit të shoqatës Naisus. Shoqata numëron rreth 400 anëtarë dhe përpiqet të afirmojë, siç thuhet, vlerat e miqësisë mes popullit serb dhe atij rus, kulturën, traditat dhe fenë e përbashkët.

“Përveç shkrimtarëve klasikë me të cilët jemi rritur, siç janë Gogoli, Pushkini, Dostojevski dhe të tjerë, afërsia me Rusinë shihet edhe tek gjuha, feja dhe afërsia shpirtërore mes këtyre popujve. Ka shumë çështje që kanë ndikuar në përcaktimin e familjes sime, dhe shumë familjeve të tjera, për anëtarësim në këtë shoqatë. Historia e Serbisë dhe Rusisë ka lidhje të përbashkëta që nga shekulli 18, kur Rusia ka filluar të ndihmojë Serbinë, si në arsim ashtu edhe në luftëra”, thotë Ugrinoviq.

Ndihma ruse nuk është ndalur kurrë

Ugrinoviq pohon se ndihma e Rusisë nuk është ndalur kurrë. Një numër i madh arkitektësh rusë ka projektuar shumë godina të spitaleve dhe universiteteve në Serbi. Një shembull i ndihmës është edhe rikonstruktimi i kishës “Sveti Sava” (Shën Sava) në Beograd, për të cilën Rusia ka ndarë 10 milionë euro. Një shembull tjetër është edhe qendra humanitare në Nish, në të cilën në shtatë vitet e fundit janë investuar 30 milionë euro. Këtu është investuar shumë edhe në stërvitjen e personave për veprim në situata të jashtëzakonshme.

Ugrinoviq mendon se Rusia nuk “dëshiron të përzihet në punët e brendshme të vendeve të tjera”, por edhe vet e ka vërejtur se shumë media ruse shkruajnë për zhvillimet në Serbi. Ato shkruajnë për protestat e fundit, por edhe për Kosovën dhe zhvillimet atje. Në Serbi mendohet se Rusia nuk do të lejojë që në Kosovë të vendosë vetëm BE dhe vendet, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Besohet se një rol shumë të rëndësishëm këtu ka edhe qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe, e cila dëshiron që Kosova të mbetet në Serbi. Ugrinoviq mendon se çështja e kufijve të jashtëm është një çështje kombëtare dhe shpirtërore.

Edhe Sasha Saviq mendon se patriotizmi është shumë me rëndësi. Ai është kryetar i klubit “Noćni vukovi iz Rusije” (Ujqët e natës nga Rusia)”, anëtar nderi i të cilit është edhe Putini. Saviq ka lindur në Berlin, në një familje punëtorësh. Në kohën e rrëzimit të Murit të Berlinit, babai tij thoshte: “Kjo nuk është aspak punë e mirë”. Pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, Saviq është përcaktuar kundër influencës perëndimore në Serbi, kundër kulturës, muzikës dhe të gjitha gjërave tjera që vijnë nga Perëndimi. “Unë kam qenë i ri, por në vete kam zbuluar inatin dhe nevojën e luftimit të të gjitha gjërave që vijnë nga Perëndimi. Jam lajmëruar në njësitë vullnetare dhe një kohë kam qenë në luftëra. Shoqërohem edhe me shoferë të motorëve, të cilët kanë ideologji interesante. Unë gjithmonë e kam dashur lirinë, por lirinë sipas traditës serbe dhe jo perëndimore. Kështu kam zbuluar edhe klubin “Ujqët e Natës”, dhe kam shkuar në Rusi, për herë të parë në vitin 2010”, thotë ai për DW.

Respekti i traditës ruse

Saviq pohon se në klubin e tij vlerësohet tradita ruse, feja ortodokse dhe kultura ruse. Merremi me punë humanitare, ruajtjen e familjes dhe vlerave familjare, thotë ai duke shtuar se “nga dëshira për t’ua kthyer shërbimet e vëllezërve rusë, për pjesëmarrje në luftërat e ish-Jugosllavisë, ai ka shkuar dhe ka luftuar në Krime”.

Në një bisedë me ministrin rus të Mbrojtjes Shojgu në Beograd, Saviq thotë se ministri rus e ka pyetur pse ke shkuar në Krime? “Në Krime kam shkuar për të ndihmuar Rusinë që ta kthejë ate që i takon, ndërsa ju tani duhet të na ndihmoni që Serbisë t’i kthehet ajo që i takon (fjala është për Kosovën)”.

Saviqi kujdeset për këtë klub edhe në Republikën Serpska dhe në Mal të Zi, por marshimet e tyre me motorë, nën moton “Ballkani Rus”, janë kundërshtuar nga ambasada amerikane në Bosnje-Hercegovinë, e cila e ka klasifikuar këtë ekskursion si të rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen. Ky klub është në listën e zezë amerikane për shkak të lidhjeve me seperatizmin në Krime. Saviq mendon se “të gjithë serbët në zemër e kanë Lindjen ndërsa materialisht furnizohen nga Perëndimi”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb