Ka nisur dita e katërt e bllokimit të rrugëve kryesore në Jarinjë dhe Bërnjak, pas një nate tjetër të qetë që kaloi pa incidente.

Policia vazhdon të qëndrojë në afërsi të pikës Kufitare Bërnjak e Jarinjë, aty ku banorët lokal serbë kanë vënë barrikada për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve, pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për reciprocitet me targa.

Situata edhe gjatë natës së mbrëmshme ka qenë e qetë, pavarësisht se banorët kanë vendosur edhe zhavorr si barrikadë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka bërë të ditur se situata po vazhdon të jetë e njëjtë në atë pjesë.

Ai tha se gjendja edhe gjatë natës ka qenë e qetë dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident.
“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që e kanë vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi dhe si çdo herë Policia e Kosovës po bën punën e saj në mënyrën më të mirë”, tha Kelani.

Sot është dita e katërt që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, ndërsa si rrjedhojë serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.

  • foto galeri
  • foto galeri

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në këto dy lokacione, derisa dy shtetet shkëmbyen akuza e kundër akuza pas këtyre zhvillimeve.
Pavarësisht se situata ka qenë e qetë, shfaqja e xhandarmërisë serbe në afërsi të territorit të Kosovës ka ngritur shqetësime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë më parë është deklaruar sërish rreth gjendjes në vendkalimet kufitare, ku serbët po protestojnë kundër masës së reciprocitet për targa.

Kurti iu ka bërë thirrje serbëve që të mos i bllokojnë rrugët, teksa ka shtuar se vendimi për reciprocitet për targa është i drejtë.
“Njësia Speciale ndodhet atje për t’i mbrojtur policët kufitarë dhe pikat kufitare, unë vazhdimisht u bëjë thirrje qytetarëve serbë që nuk kanë nevojë t’i bllokojnë rrugët, meqenëse po e pengojnë lirinë e lëvizjes dhe lirinë e vetvetes”, u shpreh Kurti.

Më tej përsëriti se vendimi që është duke u zbatuar nuk është kundër askujt.
“Nuk e kuptoj atë inat përplot vrer të presidentit të Serbisë, ai e ka ditur shumë mirë që më datën 15 shtator skadon afati i marrëveshjes të cilën e ka pranuar vetë Serbia dhe do të dëshiroja të mos kemi tabela provuese as ne as Serbia, por për shkak se ata po insistojnë te ato tabela, do të na duhet t’i kemi edhe ne”, tha Kurti për media.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga Qeveria e Kosovës të hënën.
Përmes një deklarate, zyra e Borrell ka kërkuar shmangien e çfarëdo lloj provokimi të mundshëm pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: