SERBI- Ndërkohë që kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ka rënë dakord për të blerë armë në Rusi, gjatë vizitës së tij në Moskë këtë javë, ushtarët serbë po përgatiten për të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake në Gjermani, të udhëhequr nga SHBA, me pjesëmarrjen e shteteve të tjera të NATO-­s.

Siç raporton “BIRN”, ekspertët thonë se marrëdhëniet ushtarake me Rusinë nuk do rrezikojnë perspektivën europiane të Serbisë, por thonë se politika e balancimit mes Perëndimit dhe Rusisë nuk mund të jetë një politikë afatgjatë.

Aleksandër Radiç, një ekspert ushtarak tha për BIRN se blerja e pajisjeve ushtarake nga Rusia nuk do përkeqësojë marrëdhëniet me Perëndimin.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, që viziton Moskën këtë javë, tha se do blejnë armë dhe pajisje të tjera ushtarake nga Rusia për të ruajtur balancat e sigurisë në rajon pasi Kroacia bleu pajisje të reja ushtarake.

Megjithatë Vuçiç tha se Serbia nuk do blejë armë ofensive.

“Do blejmë armë që na sigurojnë mbrojtjen e territorit tonë”, tha Vuçiç.

Serbia shpalli në dhjetor të vitit 2007 doktrinën e neutralitetit ushtarak.

Qeveria aktuale thotë se nuk ka ndërmend ta ndryshojë këtë politikë

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb