Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginë është shprehur i shqetësuar me shkurtimin e buxhetit nga qeveria serbe.

Kryetari i KKSH, Nevzad Lutfiu ka deklaruar për Dukagjinin se shpreson që ta ketë mbështetjen nga Qeveria e Kosovës.

Nga Zyra e zëvendëskryeministrit kanë treguar për televizionin se Lugina do t’a ketë mbështetjen për qasjen e qeverisë serbe të cilën e ka quajtur “diskriminuese”

Me 8 mijë euro më pak do e vazhdojë punën këtë vit Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginë.

E ky vendim i shtetit serb sipas Këshillit, nuk do lejojë përfaqësimin e shqiptarëve të luginës në nivel të duhur.

“Ky institucion do duhej që në kushte normale të punonte për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në ruajtjen e identitetit të pakicës kombëtare, shqiptare dhe ky vendim e vështirëson jashtëzakonisht aktivitetin e institucionit më të lartë të shqiptarëve në kuptimin e përfaqësimit në Republikën e Serbisë”, tha Nevzad Lutfiu, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë.

Nga Lugina, shpresojnë që mbështetjen ta marrin nga Qeveria.

“Unë besoj që pjesën e cila është dashur të mbulohet prej qeverisë së Serbisë, besoj se do ta kemi mbështetjen nga Qeveria e Kosovës ashtu që Këshilli Kombëtar Shqiptar të jetë sa më funksional. Ne këto ditë do iu drejtomë me një kërkesë Qeverisë së Kosovës = nga ku do kërkojmë mbështetje financiare për mbulimin e veprimtarisë së rregullt të Këshilli Kombëtar Shqiptar që të jemi sa më shumë funksional dhe unë besoj se kërkesa jonë do të mbështetet nga Qeveria e Kosovës”, tha Lutfiu.

E shqetësuar me qasjen e qeverisë serbe shprehet edhe zyra e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi. Kjo e fundit thotë se Lugina, do ta ketë mbështetjen e saj.

“Në tre vitet e fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka rritur në mënyrë të konsiderueshme mbështetjen për Luginën e Preshevës, veçanërisht atë financiare. Ajo ka shërbyer për të kontribuar pozitivisht në ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës së bashkatdhetarëve tanë shqiptarë. Buxheti i ndarë për këtë vit, është 3 milionë euro, dhe ka njohur rritje për nga 1 milionë, çdo vit, që nga 2021. Patur parasysh qasjen e vazhdueshme diskriminuese të Qeverisë së Serbisë ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, së fundmi jemi të shqetësuar dhe me zvogëlimin e buxhetit të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Ajo rrezikon seriozisht funksionimin e këtij institucioni për të ofruar shërbimet e nevojshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës.Qeveria e Republikës së Kosovës do të vijojë të qëndrojë përkrah shqiptarëve në Luginën e Preshevës, jo vetëm në mbështetje financiarisht, por edhe për t’i dhënë zë problematikave dhe sfidave me të cilat përballen nga institucionet serbe”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit, Bisnik Bislimi.

Buxheti i ndarë për vitin 2024 nga Qeveria e Kosovës për Luginën, është 3 milion euro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb