Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar se po përgatitet sërish “Beteja e Stalingradit”. Në prezantimin e librit “Veprat e mbledhura të Milorad Ekmeçiçit”, presidenti serb shprehu shqetësimin se kjo mund të vijë më shpejt nga sa pritet.

“Kam frikë se beteja e Stalingradit do të vijë me të vërtetë dhe më shpejt nga sa pritej kushdo, dhe jam shumë i shqetësuar për rezultatin e asaj Beteje të Stalingradit, për herë të parë në histori, shumë më i shqetësuar duke ditur se çfarë po vjen nga njëra anë dhe tjetra, duke mos dyshuar në guximin e askujt”, ka deklaruar Vuçiç, raporton Euronews Serbia.

Ai theksoi se Serbia po përballet me periudhën më të vështirë se ajo e viteve 1990 dhe për pozicionimin e serbëve.

“Mbetet të shihet çfarë do të bëjmë ne serbët, ku do të jemi me veten, a do të arrijmë të ruajmë bregun e djathtë dhe të majtë të Danubit, për veten tonë, për popullin tonë dhe jo për askënd tjetër, kjo duhet të jetë gjeja më e rëndësishme për ne dhe se me atë zotim dhe besim, ne shikojmë nga e ardhmja. Në fund do ta shihni se kush do të sillet, si do të sillet dhe me sa guxim dhe guxim do të marrin pjesë në atë proces, e gjithë kjo, pavarësisht se çfarë vendimesh kemi marrë, nëse i kam marr, nuk do ta ndryshojë faktin se kam më shumë frikë se kurrë nga ajo që është përballë Serbisë”, tha Vuçiç.

Në Betejën e Stalingradit në Luftën e Dytë Botërore, që u zhvillua nga 23 gushti i vitit 1942 deri më 2 shkurt të vitit 1943, humbën afro 2 milionë persona. Kjo njihet si beteja më e përgjakshme në historinë e luftërave. Gjermania Naziste me aleatët e saj kishte luftuar për ta marrë nën kontroll qytetin Stalingrad të Bashkimit Sovjetik, qytet që tani njihet si Volgograd.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: