Për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë rëndom flitet si për marrëdhënie vëllazërore e miqësore të bazuara në lidhjet historike, kulturore e shpirtërore.

Rrëfimi për afrinë e dy popujve me rrënjë të përbashkëta, të gjuhës e të fesë, është ravijëzuar në klishenë e veçantë për “vëllezërit sllavë, për serbët e rusët, që janë 300 milionë”…

A është i mundur largimi nga qasja tradicionale dhe me Rusinë të ndërtohet një marrëdhënie e re, pyet gazeta “Politika” e Beogradit.

Kështu, Sanda Rashkoviq-Iviq, kryetare e DSS-së, ka thënë se partia e saj dhe ajo Dveri përpiqen që “ashtu siç është Izraeli për SHBA-në, Serbia të jetë për Rusinë”.

Dy vendet që i ka përmendur si shembull për marrëdhëniet e kultivojnë aleancën specifike. Izrael, si shtet i vogël e i dobët, është logjike, thonë njohësit, është nën ndikimin amerikan, e nga ana tjetër, Izraeli, përmes lobit të vet në SHBA, ia del të kontrollojë hapat e Politikës së Jashtme të Washingtonit, për ç’shkak kohë pas kohe ka pasur edhe vështirësi, kur establishmenti amerikan përpiqej të bënte hapa që i pëlqenin palës tjetër.

Vladimir Trapara, nga Instituti për Politikë e Ekonomi, megjithatë konsideron, se kjo aleancë serbo-ruse ka pak gjasë, sepse rusët nuk janë të interesuar për aleancë me Serbinë në atë nivel, transmeton Koha.net.

“Por, se rusët duan të jenë partnerë me ne dhe se duan të na ndihmojnë rreth interesave tona kombëtare, kjo qëndron. Rajoni i Ballkanit nuk është me rëndësi të parë strategjike për Rusinë. Ballkani është, në pjesën më të madhe, sferë e ndikimit perëndimor, kështu që, Rusia, edhe po deshi, nuk mund të përzihet shumë. Fundja, ajo as që do të donte të përzihej në disa çështje të hapura që i kemi, me frikë se mund të ripërtërihet ndonjë konflikt ballkanik dhe për këtë shkak të jetë e ndërfutur në probleme të reja me Perëndimin”, thotë Trapara, duke tërhequr vërejtjen se në kohë të fundit më shumë po flitet për raportin racional ndaj Rusisë, i cili, sipas tij, gjithmonë ka ekzistuar.

“Marrëdhënia jonë me Rusinë gjithmonë dhe në mënyrë standarde është bazuar në miqësi e vëllazëri, por edhe në interesa konkrete që i kemi në bashkëpunimin ma Rusinë. Konkretisht, interesat kombëtarë për të cilët na duhet përkrahja ruse është çështja e Kosovës dhe e Republikës Serbe, e Rusia ne na ndihmon shumë në mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe fryteve të saj”, thekson ai.

Dragomir Angjelkovic, analist politik, thekson po ashtu se Rusia është e gatshme të ndihmojë për t’u lidhur me Kosovën e RS-në, por edhe t’i hapë tregje për Serbinë.

Me vlerësimin se një kohë ishte lënë prapa Rusia, me të cilën një kohë të gjatë nuk është nënshkruar marrëveshja për partneritet strategjik, ai thekson se politika e pushtetit aktual ndaj Rusisë është “e mirë dhe reale”.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb