Ideja se Rusia mund të behet pjesë e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nuk është shuar asnjëherë nga Kremlin zyrtar.

Ngritja e këtij diskutimi ditëve të fundit ka ardhur pas propozimit të ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Bothan Kharachenko për përfshirjen e Moskës në dialogun Kosovë – Serbi. Sipas Kharchenko, Rusia do të përfaqësonte interesat e Beogradit në dialog, ndërsa një propozim dhe ide e tillë nuk është kundërshtuar menjëherë as nga Bashkimi Evropian as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë pothuajse të njëjta karshi Rusisë – që të dyja tentojnë të minimizojnë mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në Ballkanin Perëndimor, por si duket të dyja ndajnë qëndrimin e njëjtë edhe sa i përket përfshierjes së Rusisë në dialogun Kosovë – Serbi.

Në një përgjigje për lajmi.net, Bashkimi Evropian thotë se i takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin nëse do të lejojnë edhe dikë tjetër të futet në dialog. “Është për palët (që do të thotë Beogradi dhe Prishtina), të bien dakord bashkërisht për pjesëmarrjen e drejtpërdrejt të partnerëve në dialogun e asistuar nga Bashkimi Evropian.”, thuhet në përgjigjen e BE-së për lajmi.net.

Më tej, BE ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet nëse Rusia do të mund të kontribonte në normalizimin e marrëdhënieve ose në anën tjetër në destabilizimin e situatës.

“Sa i përket BE-së, ne po e asistojmë atë që kur dialogu ka filluar në vitin 2011 dhe po punohet drejt përfundimit të sukessshëm të dialout, të arrihet një normalizim gjithëpërfshirës dhe një marrëveshje përfundimtare që zgjidh të gjitha pyetjet e pazgjidhura.”, thuhet në përgjigjen e BE-së për lajmi.net.

Në anën tjetër, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në mënyrë eksplicite kundër pjesëmarrjes së Rusisë në dialogun Kosovë – Serbi. Nga zyra e emisarit special të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, Richard Grenell, nuk shprehen kundër involvimit rus në procesin e dialogut.

Në pyetjen e lajmi.net se nëse përfshirja e Rusisë mund të sjellë përplasje në këtë proces, nga zyra e Grenellit thonë se janë të hapur për gjithkë që do të kontribuojë me ide në proces.

“Duke iu përgjigjur pyetjeve të para, ne themi se gjithkush është i mirëpritur që të kontribuojë me ide që mund të sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet për Serbinë dhe Kosovën”, ka thënë Dick Custin, zëdhënës në zyrën e Grenell.

Lajmi.net ka pyetur në zyrën e Grenellit edhe për deklaratat e kryeministrit Kurti, që thotë se emisari i Trumpit është duke kërkuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë para shtatorit, në atë formë që kjo të konsiderohet si arritje e administratës amerikane para zgjedhjeve që mbahen atje.

Në lidhje me këto deklarata, nga Zyra e Grenellit thonë se nuk kanë ndonjë koment.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është bllokuar tash e sa muaj, menjëherë pas vendosjes së taksës 100 për qind nga qeveria Haradinaj.

Ndryshimi i qeverisë, nuk ka ndryshuar asgjë në dialog. Heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit nuk i ka kontribuar rifillimit të dialogut dhe madje ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Se kur do të rifillojë dialogu midis dy vendeve ende nuk dihet, por se fuqitë e mëdha janë të interesuara në një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë është tashmë e njohur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: