Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.

Presidenca e Kosovës ka zbuluar se temë e bisedave kanë qenë zhvillimet aktuale dhe dialogu me Serbinë.

Në njoftim sqarohet se zonja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara dhe të angazhuara për paqe dhe siguri.

“Presidentja Osmani vuri në pah se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst ka kërkuar përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se duke folur për zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb