Gjatë fundjavës, Serbia ka pranuar një dërgesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore ruse “Pancir S1”, megjithë paralajmërimet për sanksione të mundshme nga ana e SHBA-së kundër shtetit të Ballkanit, i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e bëri njoftimin më 23 shkurt një ditë pasi ministria e Mbrojtjes konfirmoi marrjen e dy prej gjashtë sistemeve kundër- ajrore.

“Serbia forcoi aftësitë e saj mbrojtëse dhe parandaluese”, tha ministria e Mbrojtjes përmes një deklarate.

Presidenti Vuçiq ka thënë se sistemet u blenë pas sugjerimeve nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“Bleni Pancirin, sepse më së miri e ka treguar efikasitetin në Siri”, e ka cituar Putinin, presidenti Vuçiq.

Pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, por jo anëtarësimin në NATO, Beogradi ka mbajtur marrëdhënie të afërta politike dhe ekonomike me Moskën.

Dorëzimi i sistemeve Pancir bëhet më pak se një javë pasi ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, vizitoi Beogradin, duke vlerësuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Serbia ka rritur shpenzimet e mbrojtjes çdo vit, që nga viti 2016.

Vitin e kaluar, ka shpenzuar 906 milionë dollarë, ose 28.7 përqind më shumë, për mbrojtje sesa një vit më parë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike (IISS).

Në tre vitet e kaluara, ushtria serbe ka blerë nga Rusia pesë helikopterë Mi-17V-5, katër helikopterë luftarakë Mi-35M dhe ka marrë gjashtë avionë të dhuruar MiG-29.

Për më tepër, Serbia vitin e kaluar mori 30 automjete të blinduara luftarake nga Rusia, si dhe 30 tanke të tjera T-72.

Në tetor 2019, Serbia mbajti stërvitje të përbashkëta ushtarake ajrore me Rusinë.

Kjo ishte hera e parë që një sistemi i mbrojtjes raketore S-400 dhe ai Pancir ishin shfaqur në një stërvitje ushtarake jashtë Rusisë, kishte deklaruar ministria ruse e Mbrojtjes.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar sanksione kundër Serbisë, nëse blen armë që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje, që janë anëtare të NATO-s..rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb