SERBI- Autoritetet serbe kanë mbyllur pikën kufitare në Tabanocë duke ndaluar kështu lëvizjen e emigrantëve që kalojnë nga Maqedonia për në Serbi e që më pas, marrin rrugën drejt Evropës.

Sqarimi i autoriteteve serbe për këtë hap është se Kampi i refugjatëve në Luginën e Preshevës tashmë është i mbushur dhe nuk mund të pranojë më emigrantë, shkruan “RTK”.

Sipas të dhënave të shpallura nëpër mediat serbe, nga hapja e kampit të refugjatëve në Luginën e Preshevës me 8 qershor të këtij viti deri tani kanë kaluar më shumë se 6 mijë njerëz, kurse për çdo ditë autoritetet serbe japin nga 1 mijë vërtetime për emigrantët. Ndërkohë nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë thonë se deri tani nuk janë regjistruar raste që shteti serb të kthejë në Maqedoni emigrantë që kanë hyrë në këtë shtet.

“Në Maqedoni deri më tani nuk është regjistruar ndonjë grup emigrantësh që është kthyer nga Serbia. Nëse do të ketë ndonjë rast të tillë policia maqedonase do të informojë opinionin,” thonë përmes një kumtese me shkrim nga MPB.

Një pjesë e mediave serbe shkruajnë se muri që po ndërtojnë autoritetet hungareze përgjatë vijës kufitare me Serbinë do t’i ndryshojë rutën refugjatëve, përkatësisht do t’i orientojë ata që rrugën d rejt BE-së ta kërkojnë përmes Kroacisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb