Në moshën 36-vjeçare, Sergio Ramos ka njoftuar se nuk do të mbajë më veshur bluzën e kombëtares spanjolle. Vendimi nuk ka qenë i tij, siç zbulohet nga vetë qendërmbrojtësi i PSG-së në një letër:

“Sot mora një telefonatë nga trajneri aktual de la Fuente dhe ai më tha se nuk llogarit dhe nuk do të llogarisë tek unë, pavarësisht  nivelit që mund të tregoj me klubin”- shkruan mes të tjerash mbrojtësi.

Më pas, lojtari shton: “Me keqardhje të madhe, njoftoj se është fundi i një rrugëtimi që shpresoja se do të ishte më i gjatë dhe që do të përfundonte me një shije më të mirë, në nivelin e sukseseve që kemi arritur me “La Rojan”.

Besoj me përulësi se kjo trajektore e meritonte të përfundonte nëse vendimi do të ishte personal ose për perfrmacat e mia të dobëta, por jo për shkak të moshës apo arsyeve të tjera që, pa i dëgjuar, i kam kuptuar. Sepse të qenët i ri ose më pak i ri nuk është një virtyt apo defekt, është thjesht një karakteristikë e përkohshme, që nuk lidhet domosdoshmërisht me performancën apo aftësinë”.

Paraqitja e fundit e Sergio Ramos me fanellën e Furisë së Kuqe ishte pothuajse dy vjet më parë. Ramos luajti për herë të parë me përfaqësuesen në vitin 2005 dhe deri në 2021, ai grumbulloi 180 paraqitje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: