Juventusi nuk e ka patur të vështirë të marrë pikët e plota sot në sfidën kundër Sasuolos. Bardhezinjtë u imponuan me dy gola ku në fillim ishte Gonazlo Higuain që në minutën e 9-të dhe më pas Khedira në të 25-ën që do të vulosnin rezultatin. Juventus përfiton edhe nga hapi fals i Romës duke u shkëputur 4-ër pikë nga vendi i dytë dhe me një takim më shumë për të luajtur. Bardhezinjtë të qetë udhëheqin Seria A ndërsa javën e ardhshme do të luajnë derbin e Italisë ndaj Inter që gjithashtu po kalon një formë të mirë.

Milan nuk po gjen më forcat e duhura dhe pas atij impresionimi deri pak javë më parë, tashmë i është kthyer normalitetit të viteve të fundit. Kuqezinjtë kanë humbur 2-1 kundër Udinezes në shtëpinë e këtyre të fundit. Ajo që ishte për të ardhur keq, është se të besuarit e Montelës ishin ata që kaluan të parët në avantazh. Milan me këtë humbje detyrohet të mbajë vendin e 7-të në renditje.

Ndërkohë as Roma nuk ia ka dalë të marrë pikë në transfertën e sotme ndaj Sampdorias. Kryeqytetasit kaluan dy herë në avantazh, por në asnjë rast nuk arritën t’a ruanin atë, pasi vendasit u treguan të zotët duke shënuar tre herë dhe mbyllën takimin me rezultatin 3-2. Një humbje kjo që djeg shumë për të besuarit e Spaletit të cilët shohin Juven t’u shkëputet dhe dalëngadalë mund të rrezikojnë edhe zonën “Champions”. Roma renditet në vendin e dytë me 47-të pikë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb