“Seria A” tashmë në 2 vite radhazi ka kaluar 1 miliardë euro shpenzime në merkato, duke qenë i vetmi kampionat që i afrohet shifrave të ‘çmendura’ të “Premier League”. Në këtë mënyrë konfirmohet se rimëkëmbja e këtij kampionati është në rrugën e duhur, pasi edhe lojtarët e mëdhenj po preferojnë sërish të transferohen aty.

Verën e 2017 ekipet italiane shpenzuan plot 1 miliard e 37.73 mln euro, ndërsa këtë verë është arritur shifra e 1 miliard e 5.9 milionë euro, por theksojmë se mund të rritet akoma pasi merkato mbyllet të premten, shkruan “Gazzetta della Sport”.

Kështu, “Seria A” është i vetmi kampionat që i afrohet “Premier League”, kampionatit anglez që këtë verë ka shpenzuar 1 miliardë e 400 mln euro. Shumë më mbrapa mbeten La Liga spanjolle me 778 milionë euro; Bundesliga gjermane me 447 milionë euro; e në fund Ligue 1 e Francës me 405 mln euro.

Pjesën e “luanit” e ka shpenzuar, pa më të voglin dyshim, Juventusi. Bardhezinjtë kanë hedhur gati çerekmiliard euro (234.9 mln euro) në total, duke përfshirë këtu edhe 40 milionët e derdhura në arkën e Bayern Munchen për të blerë përfundimisht kartonin e Douglas Costa. Një shifër e frikshme kjo, nëse krahasohet me të ardhurat e Napolit për vitin 2017 prej 200.7 mln eurosh sipas “Deloitte” dhe ato të Romës, prej 175 mln eurosh. Dy blerjet më të kushtueshme të kësaj vere në Itali janë pikërisht ato të bëra nga Juve, mbi 100 mln euro për Ronaldon dhe 40.4 mln të investuara për Cancelo. Objektivi mbetet tejet i qartë dhe i deklaruar prej kohësh: fitimi i Champions League.

Sa u përket rivalëve të tjerë, sinjale të rëndësishme kanë dhënë thuajse të gjithë, që objektiv parësor kanë ngushtimin e hendekut me bardhezinjtë nga Torino.

Roma dhe Napoli mbajnë aktualisht vendet e tjera të podiumit. Verdhekuqtë kanë shpenzuar 112.95 mln euro për 12 blerje në total, përfshi N’Zonzi, ndërsa Napoli ka shpenzuar plot 95.5 mln euro, që ndahen respektivisht 30 për Fabian Ruiz, 25 për Meret, 23+2 për Verdin dhe 12 për Malcuit.

Pasojnë më tej dy skuadrat e Milanos, Interi me 85.5 mln euro dhe Milani me 81 mln euro. Por, shifrat e këtyre dy ekipeve do të ishin shumë më të larta, po të kihet parasysh shpenzimet që parashikohen për “të drejtat e blerjes përfundimtare” të lojtarëve të tillë si Vrsaljko (6.5+17.5), Keita (5+34), Politano (5+20), Bakayoko (5+35) apo Higuain (18+36)

Menjëherë pas 5 emrave të mëdhenj të futbollit italian renditet Torino, që ka shpenzuar 49 mln euro për përforcimet, si Izzo apo Meite (10 secili), sikurse edhe Niang nga Milani për 12 mln euro.

Pas Torinos vjen Lazio me 43 mln euro, Genoa me 40.2 mln euro dhe Udinese me 36 mln euro.

Renditja e skuadrave sipas shpenzimeve
1. Juventus 234,9
2. Roma 112,6
3. Napoli 95,5
4. Inter 85,5
5. Milan 81
6. Torino 49
7. Lazio 43
8. Genoa 40,2
9. Udinese 36
10. Atalanta 33
11. Bologna 31,8
12. Fiorentina 31,5
13. Sampdoria 31,1
14. Sassuolo 30,7
15. Cagliari 22,5
16. Empoli 14,7
17. Parma 12,7
18. Spal 9,95
19. Chievo 6,55
20. Frosinone 3,7

Transferimet më të kushtueshme drejt Serie A gjatë verës (deri tani)
1. Cristiano Ronaldo 100 milioni (nga Real Madrid te Juve)
2. Joao Cancelo 40,4 (nga Valencia te Juventus)
3. Radja Nainggolan 38 (nga Inter te Roma)
4. Leonardo Bonucci 35 (nga Milan te Juve) e Mattia Caldara 35 (nga Juve te Milan)
5. Fabian Ruiz 30 (nga Betis te Napoli)
6. Steven N’Zonzi 26,65+4 di bonus (nga Sevilla te Roma)
7. Alex Meret 25 (nga Udinese te Napoli)
8. Javier Pastore 24,7 (nga PSG te Roma)
9. Simone Verdi 23+2 (nga Bologna te Napoli)
10. Lautaro Martinez 22+3 (nga Racing te Inter)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: