Ka përfunduar në këto çaste takimi mes Lacios dhe Napolit, i vlefshëm për javën e 19-të të Serisë A. Kryeqytetasit bardhekaltër kanë triumfuar 1-0 duke kurorëzuar në mënyrë perfekte javën e 120-vjetorit të tyre.
Si Tomas Strakosha, ashtu edhe Elseid Hysaj kanë qenë titullarë përgjatë gjithë 90 minutëshit, ndërsa në fund ka qenë portieri që ka buzëqeshur, falë edhe formës fantastike të Lacios në këtë sezon, që po konfirmohet si forca e tretë në kampionat dhe në gjendje për të futur nën presion Juventusin dhe Interin.
Takimin e ka vulosur i zakonshmi Ciro Imobile, që në minutën e 82-të ka shënuar golin e vetëm të takimit dhe të 20-in për të në këtë kampionat. Me fat sulmuesi italian, që ka përfituar në maksimum nga një gafë e Ospinës, të cilit i shpëtoi topi nga duart.
Me këtë sukses, Lacio ngjitet në kuotën e 42 pikëve, 3 më pak sesa Juvja dhe Interi, që kanë ende për të luajtur ndeshjet e tyre.
(Balkanweb)