Në Serie A nuk ishte një nga ato javët brilante për futbollistët kuqezi, jo të gjithë zbritën në fushë si titullar, e jo të gjithë shkëlqyen. Marash Kumbulla nuk u preferua për asnjë minutë nga Jose Mourinho në sfidën që verdhekuqtë barazuan pa gola kundër Genoa.

Nuk u preferua si titullar as Hysaj nga trajneri Sarri, por u aktivizua gjatë ndeshjes në sfidën kundër Firorentinës. Ndryshe nga Hysaj, Strakosha vijon të zbres në fushë nga minuta e parë, me gardianin kuqezi që zhvilloi një ndeshje perfekte në fitoren 0-3 në transfertë.

Titullarë për Empolin zbritën dy futbollistët e Kombëtares, Nedim Bajrami dhe Klodian Asllani. Ndryshe nga se jemi mësuar këtë periudhë, kjo nuk ishte sfida më e mirë për fantazistin kuqezi, i zëvendësuar në minutën e 70-të. Titullar dhe 90-minuta në fushë për Atalantën zbriti Berat Gjimshiti në humbjen që bergamskët pësuan në shtëpi kundër Cagliari.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb