Kjo ishte një fundjave thuajse perfekte për legjionarët kuqezi të shpërndarë kudo në botë. Jo vetëm Daku, Muçi etj, një paraqitje fantastike dhuroi dhe një nga beniaminët e Sylvinho-s, Ylber Ramadani. Prej kohësh, mesfushori kuqezi ka qenë jashtë formës së tij optimale, duke humbur statusin si titullar jo vetëm te Lecce, por dhe në Kombëtare. Ramadani u aktivizua si zëvendësues edhe këtë të diel, por mesfushori shqiptar realizoi një perlë të vërtetë përballë Torinos.
Me fillimin e pjesës së dytë, Ramadani me një predhë të vërtetë dërgoi topin në trekëndësh duke bërë që tifozët, por dhe vetë të shpërthente në lot, një gol që në fund rezultoi një trepikësh.
Ky gol i Ramadanit është pa diskutim një lajm i shkëlqyer për Sylvinho-n.
Titullar dhe 90-minuta të plota zhvilloi këtë fundjave edhe Ardian Ismajli. Qendërmbrojtësi kuqezi ka lënë pas plotësisht dëmtimin e pësuar pasi kjo ishte ndeshja e tretë radhazi që luan me kohë të plotë. Empoli doli me tre pikë pas suksesit 1-3 në transfertë përballë Monza-s, ndërsa Ismajli ishte një nga lojtarët më të vlerësuar, nota 7.1.
Minuta pati edhe për Hysajn, ndërsa nuk u preferua nga Simone Inzaghi, Kristjan Asllani. Nuk u aktivizua për shkak se kishte plotësuar numrin e kartonëve kapiteni kuqezi, Berat Gjimshiti.
(BalkanWeb)