Besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen. Ky është viti i dytë që Krishtlindja festohet ndryshe, mes kufizimeve të vendosura nga pandemia e koronavirusit.

Kështu, në respektim të masave dhe duke shmangur grumbullimet, këtë mëngjes do të mbahet mesha e besimtarëve ortodoksë në katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Meshën e mban kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Ndërkohë, që mbrëmë në Katedralen e ‘Shën Palit’, Imzot George Frendo ka mbajtur meshën e tij të fundit si Arqipeshkv, e ndërsa përcolli edhe mesazhe për më shumë dashuri dhe paqe mes njerëzve.

Mesazhe paqeje kanë dhënë dje edhe krerët e besimeve fetare dhe po ashtu edhe politikanët. Kryepeshkopi Anastas Janullatos, teksa uron besimtarët shkruan se dhurata më e bukur në këtë ditë është forcimi i besimit në Zot.

Një mesazh dha dje nga Shkodra edhe Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit e Presidenti i Konferencës, i cili uri besimtarët. Presidenti Ilir Meta bën thirrje për solidaritet dhe kujdes ndaj atyre që kanë nevojë për përkrahje. Në këtë datë të veçantë për besimtarët e krishterë, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se kjo është një ditë kur gëzimi mund hidhërimin dhe shpresa fiton mbi vështirësitë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb