Rusia ka regjistruar të premten një tjetër rekord të viktimave me koronavirus, përkatësisht 1,163 brenda 24 orëve. Sipas task-forcës për koronavirus në këtë shtet, kjo është shifra më e lartë ditore e viktimave, prej kur ka shpërthyer pandemia. Me shifrat e fundit, numri total i viktimave ka arritur në 236,220, njëherësh shifra më e lartë e viktimave në Evropë.

Për të ndalur valën e infektimeve, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar një javë të mospunës, nga 30 tetori deri më 7 nëntor, duke pezulluar punën e shumicës së institucioneve nga zyrat.
Moska ka marrë po ashtu masa, duke mbyllur shkollat, palestrat, dyqanet, dhe restorantet. Autoritetet kanë thënë se kjo situatë është pasojë e shkallës së ulët të vaksinimit.

Rreth 51 milionë rusë – pak më shumë se një e treta e popullsisë – është vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. Rusia ka qenë shteti i parë në botë që ka autorizuar vaksinën kundër koronavirusit në gusht të vitit 2020, Sputnik V. Megjithatë, procesi i imunizimit është ngadalësuar për shkak të dyshimeve të qytetarëve, të cilët kanë thënë se autoritetet kanë dhënë sinjale të ndryshme për vaksinën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: