TIRANE – Ish-ministri i Financave Shkëlzim Cani pritet të dëshmojë të martën, në kuadër të planit të hetimit për “Serverin e Tatimeve”.
Komisioni hetimor miratoi sot planin e hetimit, ndërsa sekretare u zgjodh deputetja socialiste Blerina Gjylameti.

Pas mosmarrëveshjeve në mbledhjet e fundit lidhur me planin hetimor, sot palët gjetën mirëkuptim për nisjen e punës. Mbledhja e radhës do të jetë më 1 mars.

Në fakt, ishte opozita ajo që kërkoi pak ditë më parë që të dëgjohet ish-ministri Cani në komision.
Deputeti demokrat Arben Ristani deklaroi në komision se “E gjitha ka nisur me një urdhër të ish-ministrit Shkëlqim Cani. Me urdhrin e tij është ngritur grupi auditues. Patjetër dhe ish- ministri Cani është pjesë e njerëzve që duhet të dëshmojnë. Një nga komisionet e rëndësishme që është ngritur me kërkesë të opozitës është komisioni hetimor për serverin e tatimeve. Kjo është hera e tretë që ngrihet ky komision. Dy herët e para është zvarritur pa fund dhe është bërë e pamundur përfundimi i punës së këtij komisioni. ”,- tha Ristani.

Komisioni hetimor, i ngritur për herë të tretë me vendim të Kuvendit, ka objekt kontrollin e zbatimit të legjislacionit tatimor në administrimin e bazës së të dhënave shtetërore nga ana e administratës tatimore për periudhën 12 nëntor – 7 dhjetor 2013. Gjithashtu, objekt i hetimit është dhe verifikimi i problematikës së ndërhyrjeve në sistemet tatimore, si dhe arsyet e mosfunksionimit të tyre për disa ditë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: