Analisti amerikan Daniel Serwernë një intervistë të shkurtër për express, nuk ka dhënë një përgjigje direkte nëse Hashim Thaçi e ka mbështetjen e SHBA-ve për t’u bërë President. Ai thekson se Washingtoni do të përpiqet që të mos përzihet në këtë çështje. Serwer thotë se zgjedhjet e parakohshme vështirë se do të mund të zgjidhin Demarkacionin dhe Asociacionin, dy çështjet që kanë bllokuar situatën politike.

Serwer ka komentuar edhe rreth mundësisë që Atifete Jahjaga të marrë një mandat të dytë në krye të shtetit dhe rreth influencës që Gjykata Speciale mund të ketë në proceset politike në Kosovë.

Bllokada politike në Kosovës është duke vazhduar me muaj të tërë. Partitë opozitare dhe Qeveria ende janë në pozicione të kundërta rreth procesit të demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. A mendoni se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje?
Nëse duhen mbajtur zgjedhje të parakohshme është zgjedhje që duhet ta bëjnë kosovarët, jo të huajt. Kjo është arsyeja pse ekziston Parlamenti. Sa i përket këtyre dy çështje, jam i befasuar se secila prej tyre është ngritur me kaq shumë pasion dhe unë kam dyshime se zgjedhjet mund të çojnë në zgjidhjen e lehtë të këtyre dy çështjeve.

Thaçi është duke insistuar që të bëhet President i Kosovës si pjesë e përmbushjes së marrëveshjes së koalicionit. Dje ai është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit John Kerry që shihet si moment vendimtar për kandidaturën e tij. A mendon se Thaçi e ka mbështeten e e SHBA’së në qëllimet e tij?
Duhet t’i pyesni qeveritarët amerikanë për mbështetjen zyrtare të Qeverisë Amerikane. Përgjithësisht Washingtoni përpiqet të qëndrojë jashtë preferencave të këtij lloji në shtet me sistem demokratik. Ne vërtetë besojmë në Qeverinë e popullit, nga populli dhe për popullin. E kam të qartë se ky parim mund të jetë shkelur në të kaluarën, por tani nuk shoh arsye të mira që të shkelet.

Duke pasur parasysh mbështetjen e madhe ndërkombëtare për Zonjën Jahjaga a mendoni se ajo ka shanse për një mandat të dytë si Presidente e Kosovës?
Mendoj se Presidentja Jahjaga ka bërë një punë të mrekullueshme duke prezantuar Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe në vend. Por për të marrë mandatin e dytë ajo duhet ta gjejë mbështetjen e nevojshme në Parlament.

A mendoni se Gjykata Speciale në ndonjë mënyrë mund ta ndikojë zgjedhjen e Presidentit dhe situatën e përgjithshme me të cilën po përballet Kosova aktualisht?
E imagjinoj se rastet e Gjykatës Speciale mund të jenë një faktor në mendjet e së paku disa parlamentarëve që e zgjedhin Presidentin dhe që duhet të gjejnë rrugëdalje nga situata aktuale. Por është e pamundur të parashikohet tani në mënyrë precize se kush do të akuzohet dhe për çka. Kjo disi e zvogëlon ndikimin e asaj se çfarë mund të bëjë Gjykata.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: