Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Është e turpshme,fyese, dhunuese dhe e papranueshme, nuk ka të bëjë me përgjegjësitë e mia”. Sesilia Plasari, regjisorja e njohur e sheh shfaqjen e vënë në skenë pa miratimin e saj, pas përplasjes që ajo pati me drejtorin e Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, sa i takon cilësisë së shfaqjes “Liri në Bremen”.
Në një intervistë për “GSH” ajo sqaron se “vepra nuk përdhunohet, nuk jepet me forcë, për asnjë rast” dhe bën me dije se “Me drejtorin, për arsye sjelljesh rrugaçërore të mëparshme nga ana e tij, komunikimi me anë të bisedave është bërë i pamundur që në nëntor”. Sipas saj, nëse garantimi i spektaklit nuk u bë në kohën e duhur, “për arsye lajthitjeje”, duhet të ishte gjetur zgjidhja me kohë dhe jo disa ditë përpara. Regjisorja e njohur që ka punuar gjatë në Paris, deklaron se “drejtori i TK nuk u avit të shqetësohej se si po ecte puna e ethshme që po bëhej për të mbuluar fajin e tij, punë e cila nuk u arrit, por që ai me paturpësi dhe duke dhunuar çdo të drejtë, e paraqiti në publik”.
Nga ana tjetër ajo e quan poshtërim faktin se Çuli ka falenderuar një nga një aktorët që kishin pranuar të luanin “për hir të teatrit”. “Të teatrit që po drejton ai, sigurisht, jo të Teatrit. I falënderonte që po e nxirrnin nga balta”,- thotë ajo, duke shtuar se “është poshtëruese për aktorët të ulin pjacën e nivelit në të cilin i kishte vënë të luanin. Drejtori i falënderon që pranuan të poshtërohen”.
Përse u distancuat nga shfaqja?
Është në detyrën dhe të drejtën e regjisorit në gjithë botën të miratojë shfaqjen përpara se të jepet. Regjisori ka përgjegjësi për atë ç`ka i jep publikut. Regjisori është autori i spektaklit. I jep emrin e tij. Nëse, me firmë në protokoll, autori nuk e jep aprovimin për shfaqjen sepse ajo nuk është e arrirë, vepra nuk përdhunohet, nuk jepet me forcë, për asnjë rast. Sipas kontratave, përgjegjësinë e mban ai të cilit ajo i bie. Në rastin konkret përgjegjësia nuk është imja sepse unë shfaqjen e kisha dhënë, në kohë, me cilësi dhe me sukses. Arsyeja për të cilën ajo nuk erdhi në nivelin e pranueshëm në krahasim me shfaqjen origjinale, arsyeja për të cilën shfaqja që pashë unë një natë përpara publikut të datës 11/02/2015 është e turpshme, fyese, dhunuese dhe e papranueshme, nuk ka të bëjë me përgjegjësitë e mia. Për të mos hyrë në hollësi teknike, arsyeja është mossigurimi i kontratës, prej administratës së Teatrit, i personit që ka krijuar audion dhe projeksionet, personit që ka pjesën e tij në figurën dhe shpirtin e shfaqjes, në bashkëpunim me mua vetë dhe me skenografe-kostumografen. Si në krijim, ashtu edhe në ekzekutim. Po të mos ishte e domosdoshme kjo për spektaklin, ky aspekt do ishte realizuar që në fillim me mjetet e teatrit, të pamjaftueshme, dhe me punonjësit e teatrit të cilët nuk e kishin teknikën e duhur, nuk dua ti paragjykoj, por ndoshta edhe formimin e duhur për ta bërë punën që u bë në rastin e parë. Të mos sigurosh që në fillim qoftë edhe një kontratë për mbarëvajtjen e shfaqjes në kohëgjatësinë e shpallur në kalendar, është një gabim i rëndë, një faj, i pashpjegueshëm, të cilin nuk e shpjegon dot asnjë arsye monetare. Është çështje menaxhimi, komunikimi. Sigurimi i shfaqjes s`ka lidhje me paratë sepse ai duhet bërë që në fillim, që kur ky bashkëpunim u aprovua. Teatri e kishte në dorë të mos e aprovonte angazhimin që në fillim. Edhe nëse garantimi i spektaklit nuk u bë në kohën e duhur, për arsye lajthitjeje, duhet të ishte gjetur zgjidhja me kohë dhe jo disa ditë përpara. U bënë përpjekje pa sukses për ta zëvendësuar këtë komponent aq të rëndësishëm në shfaqjen time, për të cilin është bërë një punë shumë e madhe, me dy ditë prova strapacuese, sa për të hedhur lumin, e për t`ja hedhur kujt? Publikut! Duke dhunuar njëkohësisht dhe të drejtën e autores së spektaklit dhe dinjitetin e saj profesional.
Cilat janë bisedat e bëra me drejtorin e TK?
Me drejtorin, për arsye sjelljesh rrugaçërore të mëparshme nga ana e tij, komunikimi me anë të bisedave është bërë i pamundur që në nëntor. Por për hir të shfaqjes, edukata e punës me të cilën jam rritur në perëndim, me komunikimin si gur themelor të çdo sipërmarrjeje, ma donte të komunikoj me të patjetër. I shkruajta e-maile, të cilëve meqë situata ishte urgjente dhe ai nuk u përgjigjej, u detyrova t`ju jap karakter zyrtar dhe ti dorëzoj në formë letrash në protokoll. E kam vënë në dijeni hap pas hapi për ç`ndodhte duke ja shtruar të gjitha problemet, – letrat janë në protokoll. Asnjëherë ai nuk u avit të shqetësohej se si po ecte puna e ethshme që po bëhej për të mbuluar fajin e tij, punë e cila nuk u arrit, por që ai me paturpësi dhe duke dhunuar çdo të drejtë, e paraqiti në publik. E më pas u shfaq, për të falenderuar një nga një aktorët që kishin pranuar të luanin “për hir të teatrit”. Të teatrit që po drejton ai, sigurisht, jo të Teatrit. I falënderonte që po e nxirrnin nga balta. Është poshtëruese për aktorët të ulin pjacën e nivelit në të cilin i kishte vënë të luanin regjisorja. Drejtori i falënderon që pranuan të poshtërohen. Mos prano po deshe. Është e dhembshme.
Si qëndron çështja e njërit prej autorëve të shfaqjes?
Për këtë unë kam dëgjuar vetëm thashetheme dhe kam vetëm versionin e bashkëpunëtorit tim Zotit Florjan Canga, sepse, siç u nënkuptua, asnjë version nuk më është ofruar nga drejtori. Sigurisht, midis një njeriu që ka qenë korrekt dhe i lavdërueshëm në punë, që komunikon, që të respekton ty dhe veten, që merr mundimin të të shpjegojë e sqarojë, dhe një tjetri sjelljet e të cilit janë të turpshme, kryekëput absurde dhe të papranueshme, kam tendencën të besoj bashkëpunëtorin tim dhe jo drejtorin. Sa kohë nuk më kanë dhënë prova për të kundërtën. Drejtori përhap fjalë sipas të cilave ishte çështje parash, por me aq sa di e aq sa kuptoj unë nga kjo punë, mund të jetë veçse çështje menaxhimi dhe komunikimi. Ju mund ti drejtoheni vetë Zotit Canga dhe ta pyesni se si qëndron çështja.
Pse nuk u arrit një marrëveshje mes jush?
Si mund të arrihet marrëveshje midis një njeriu si unë, që është 14 ore në ditë në punë, duke luftuar të shpëtojë shfaqjen dhe një njeriu që zhduket, nuk përballon dot asnjë ballafaqim, asnjë konfrontim. Ai, me ç`kam jetuar në atë oborr, ose zhduket, ose ulërin, rruge të mesme nuk ka. Ai jep urdhër me telefon – pasi regjisorja thotë se shfaqja është e pashfaqshme – të bëhen provat nga sekretarja e tij, e cila, sipas urdhrit, më thotë “ti mund të ikësh” dhe po sipas urdhrit, vazhdon të bëjë provat vetë. A ndodh kjo në ndonjë teatër në botë ose në galaksi? Një drejtor që e jep shfaqën pa e aprovuar as dhe vetë, me aprovimin e sekretares së tij? Është groteske dhe qesharake! Si mund të arrihet marrëveshje në këto kushte? Interesat janë të kundërta: Unë dua të shpëtoj vazhdimësinë e cilësisë, dua të mos mashtroj publikun, dua të mos e zhgënjej atë, unë kam turp! Turp nga shfaqja! Ai, që të mos i hapen probleme, që të shpëtojë veten, do të japë diçka me çdo kusht, çfarëdo që të jetë, paçka se ajo që u arrit u masakrua. Publiku? “Ku merr vesh publiku!”.
Prej kur i keni kërkuar ju drejtorit që çështja të merrte zgjidhje?
Sapo mora vesh problemet. Florian Canga më lajmëroi se gjërat kishin marrë një rrjedhë pa mundësi marrëveshjeje, u alarmova dhe lajmërova sekretaren e drejtorit. Pastaj prita të më lajmëronin zyrtarisht, të merrej një vendim se ç`do bëhej, të diskutohej problemi. Asgjë. Dëgjova thashetheme nga të katër anët dhe nuk po më bëhej asnjë komunikim. Atëherë i dërgoj një e-mail të parë në dt.5 shkurt ku i kërkoj të më vërë në dijeni se ç`do bëhet. I them se kam dëgjuar që ai ka gjetur njerëz të tjerë për vazhdimësinë e punës me projeksionin dhe zhurmat, çfarë ka marrë përsipër personi në kontratë, si mund të verifikojmë kompetencat e tij, ç`mund e ç`duhet të bëj për ta ndihmuar etj, etj. Normalisht isha unë që kisha zgjedhur me kë doja të punoja për ta sjellë shfaqjen në nivelin e parë dhe po unë duhet të pyetesha nëse duhej zgjedhur dikush tjetër për ta zëvendësuar atë. Por unë nuk pyetem. As informohem. Ai nuk më përgjigjet dhe kur insistoj duke u munduar të gjej zgjidhje nga ana ime, më dërgon një përgjigje, te vetmen, aspak siguruese e as konstruktive sipas të cilës “të kontraktuarit janë njerëz që punojnë me devotshmëri për realizimin e detyrave” (ç`kujtime na ngjallin këto lloj frazash !) dhe se “janë njerëz të përgjegjshëm dhe normalë”(!). Ai më thotë gjithashtu se shpreson që të kontraktuarit e rinj, do ti përgjigjen kapacitetit dhe kërkesave të mia – pra ai e pranon që është regjisori që vendos kërkesat për gjykimin e cilësisë së punës. Por kur kjo cilësi nuk arrihet, ai s`pyet për askënd dhe e shfaq veprën, megjithatë! Mjerë profesioni në ç`duar e ç`praktika ka rënë. Është një skandal përmasat e të cilit nuk kuptohen ndoshta sa duhet në Shqipëri nga injoranca e të drejtave të autorit dhe nga praktikat që janë ndjekur rëndom në regjimin e kaluar. Në detin e skandaleve në të cilin jetojmë, ai dhe mund të humbë. Por nuk është një arsye për ta mbyllur gojën dhe për të mos e denoncuar: Skandal në Teatër!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: