Me rastin e 70-vjetorit të shpërthimit të Luftës së dy Koreve, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-In, e siguroi sot Korenë e Veriut se vendi i tij nuk po kërkon një luftë tjetër.

“Para se të flasim për bashkimin, shpresoj se ne mund të bëhemi fillimisht fqinjë miqësorë”, tha ai, në fjalimin e tij gjatë një ngjarjeje përkujtimore në aeroportin ushtarak të Seulit.

“Ne jemi kundër një lufte. Konkurrenca e dy Koreve mbi sistemet politike dhe ekonomike ka përfunduar shumë kohë më parë”, shtoi presidenti koreano-jugor.

Dy vendet janë teknikisht ende në gjendje lufte.

Luftimet midis tyre, nga 1950 deri në 1953, përfunduan me një marrëveshje armëpushimi, por deri më sot nuk është arritur një marrëveshje paqeje.

Pa prekur tensionet më të fundit në gadishull, Moon iu drejtua Phenianit me një thirrje për paqe, duke theksuar se shpreson që Koreja e Veriut t’u bashkohet përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës më të trishtuar në historinë botërore.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb