Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një takim me të gjitha ekipet pjesëmarrëse në kampionatin Kategoria Superiore në prag të nisjes së sezonit të ri 2024-2025.

Në këtë takim i cili u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit” dhe që u organizua nga Departamenti i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit morën pjesë trajnerë dhe kapitenë të skuadrave të Kategorisë Superiore, ndërsa u diskutua mbi rregulloren e arbitrimit se si lojtarët ndëshkohen në rastet e ndërhyrjeve të gabuara ndaj kundërshtarit, prekjet e topit me dorë kur janë të ndëshkueshme dhe kur jo, simulimet në zonën e penalltisë, por edhe në fushë, tërheqjet dhe mbajtjet se si do ndëshkohen, etj.

Shefi i arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, i shpjegoi kapitenëve rregulloret dhe mënyrën se si duhet të sillen me arbitrat. Edhe njëherë tjetër u bë e qartë që komunikimi i vetëm i arbitrit të ndeshjes në momentet kyçe të relizohet vetëm me kapitenin e skuadrës.

E njëjta praktikë u ndoq nga UEFA në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” për të shmangur trysnin mbi arbitrin i cili gjatë një ndeshje mund të marrë gati 200 vendimi, por këto vendime nuk mund t’i marrë nën presionin e 22 lojtarëve, të cilët shpeshherë e rrethojnë atë duke e vendosur nën trysni edhe kur një situatë po kontrollohet nga sistemi VAR. Prandaj e vetmja mënyrë është që komunikimi të realizohet vetëm me kapitenin e skuadrës, i cili është personi që do të marrë informacionin zyrtar për një vendim kyç, por gjithashtu është përgjegjës për sjelljen dhe reagimet e lojtarëve të tjerë të ekipit të cilët do të ndëshkohen disiplinarisht në qoftë se injorojnë këshillat e kapitenit.

Klubet kërkuan nga Departamenti i Arbitrimit në FSHF që raste të situatave të ndryshme të lojës që kërkojnë interpretim si prekjet me dorë, tërheqjet apo mbajtjet në zonën e penalltisë të dërgohen me video që trajnerët të punojnë në seancat teorike me skuadrën.

Edicioni i ri i kampionatit të Kategorisë Superiore do të ngrejë siparin të dielën më 18 gusht ku do të luhen dy takimet e para Dinamo City – Egnatia dhe Teuta – Bylis.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: