Një tjetër e papritur me klubin e Çelsit. Shitja e londinezëve te Tod Bohli duket se ka frenuar dhe ka dyshime të mëdha se mund të kryhet, pasi qeveria britanike nuk ka zgjidhur dot ngërçin ligjor në lidhje me të ardhurat e shitjes së klubit të cilat në teori i kalojnë kompanive në pronësi të Roman Abramoviç.

 

Sipas “Sky Sport UK”, qeveria britanike është dakord me shitjen te grupi i komanduar nga Bohli për 4,25 miliard paund, por nuk di ende destinacionin që do të kenë rreth 2,5 miliard paund. Gjithçka ka lidhje me sanksionet e vendosura ndaj Roman Abramoviç, të cilin qeveria britanike e vlerëson si një njeri të afërt me Putin dhe ka ngrirë asetet e tij.

Por kontrata e shitjes së klubit nevojitet të ketë edhe firmën e Abramoviç dhe ky i fundit ka siguruar akordin me Bohli, për të mbrojtur edhe një shumë prej 1,5 miliard paund që ka shpenzuar për blutë në vite. Shifër që është regjistruar si hua e dhënë nga kompanitë e tij e të cilën Çelsi duhet ta paguajë, Abramoviç nuk ka asnjë lloj akordi me qeverinë rreth kësaj pjese edhe pse ka thënë se nuk do të kërkojë paratë mbrapsht, apo rreth përfitimeve nga shitja për drejtuesit ekzekutivë, ndaj nuk mund të hapë dritën e gjelbër për marrëveshjen.

Me pak fjalë, situata vazhdon të jetë në vendnumëro dhe tani rrezikohet seriozisht regjistrimi i bluve në sezonin e ardhshëm, në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Sipas të njëjti burim, Çelsi tani rrezikon seriozisht edhe të kalojë në administrim pasi së shpejti mbarojnë edhe afatet e licencës speciale që u akordua në mënyrë që klubi të mbyllte sezonin. Pas përfundimit të kësaj licence, klubi nuk mund të paguajë më dhe kështu, rrezikon të kalojë në administrim financiar që praktikisht do të shkatërronte gjithçka është ndërtuar në këto vite.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb