Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar një takim me operatorët turistik në Durrës për sezonin e ri të turizmit, i dyti në kohë pandemie.

Rama thotë se qeveria ka mësuar nga sezoni i kaluar, dhe ka premtuar se kësaj radhe kufiri me Kosovën do të jetë absolutisht i hapur si dhe operatorët turistikë do të kenë sa më pak shtrëngesa.

Ai thotë se operatorët turistikë mund të buzëqeshin pasi me vaksinat e reja të siguruar dhe me objektivin për të vaksinuar gjysmë milion shqiptarë deri në qershor, atëhere ky do të jetë një sezon më i lehtësuar.

‘’Besoj që sot realisht mund të buzëqeshni sepse me sigurimin e sasive të konsiderueshme të vaksinave, që na japin mundësinë të nisim vaksinimin intensiv ne faktikisht vëmë një bazë të arsyeshme për të pasur sezon turistik më të lehtë.

Ne kemi mësuar nga sezoni i shkuar që ishte jashtëzakonisht sfidues për shkak të pandemisë, dhe patjetër që edhe këtë vit ne në radhë të parë do të sigurojmë që kufiri ynë me Kosovën të jetë absolutisht i hapur.

Në radhë të dytë do të bëjmë gjithçka na takon që në aspektin e kornizës së aktivitetit turistik, gjithë ju dhe kolegët tuaj të kenë sa më pak shtrëngesa.

Së treta duke pasur mundësinë që të bëjmë një vaksinim intensiv, ne do të zhvillojmë me shumë këmbëngulje të gjithë procesin e vaksinimit me synimin që brenda muajit qershor maksimumi, por duke shpresuar deri në fund të majit të vaksinojmë gjysëm milion qytetarë.

Vaksinimi është themelor është për këputjen e hallkave. Shumë e rëndësishme që me vaksinimin të jemi të rregullt, se pastaj bëhemi ne pengesa për të dalë nga ky tunel ku më në fund po shohim dritë. Dhe besoj që faktet flasin vetë. Lidhur me ndryshimin e rëndësishëm që ka ndodhur në sektorin e turizmit. Të gjithë eksperiencat tuaja, dhe ccfarë kemi ëdgjuar, potenciali është ende shumë i madh, dhe mundësitë janë të mëdha.

Ajo që do t’i shtoja Blendit për Durrësin, si pika më e fortë e gravitetit të turizmit, është që me plot gojë se me ndërhyrjet që planifikojm ëtë bëjmë gjatë mandatit të tretë do jemi një suport i jashtëzakonshëm për turizmin. Ndërhyrje që do të rrisin eksponencialisht peshën e Shqipërisë në hartën e turizmin mesdhetar. ’’- tha Rama.

Gjithashtu Rama lë të hapur edhe mundësinë që sezoni turistik të ndihmohet duke vaksinuar stafet e hoteleve. Sipas tij kjo ide interesante do të vlerësohet, po ashtu thotë se hotelet që kanë marrëdhënie me Izraelin, përderisa aty është vaksinuar pjesa më e madhe e popullsisë, dhe qytetarët po pajisen me pasaportat e gjelbërta, madje vendi kishte nisur marrëveshjet hoteliere me Maltën.

”Ideja e vaksinimit të stafeve të hoteleve, në pamje të parë tingëllon interesante, kështu që me shumë dëshirë dhe seriozitet do ta vlerësojmë dhe të shohim nëse mund ta bëjmë të kombinuar me ofertën. P.sh, nëse, fjala vjen, një hotel ka një marrëdhënie me Izraelin ku tanimë është kryer një përqindje e jashtëzakonshme e vaksinimit të popullatës dhe faktikisht, ata kanë filluar të marrin pashaportat e gjelbërta. Pardje pashë që kishin filluar të bënin marrëveshje me hotelet në Maltë për grupet e tyre. Atëherë, këto mund të jenë iniciativa ku ne mund të bëjmë diçka në këtë drejtim. Nuk po e premtoj se është një ide që tani e dëgjova dhe këtu po e flasim, por mund të jetë një ide interesante. Ta studiojmë mirë dhe ta shohim me shumë dashamirësi, sepse për mua nuk diskutohet që Shqipëria, asetin e vet më të madh për gjeneratat e tjera ka bukurinë që ka falur Zoti, për të cilën ne kemi bërë çmos si rob të Zotit për ta relativizuar, duke e dëmtuar në të katërt anët.

Turizmi është pika që nuk do të na lërë kurrë në baltë, në një farë kuptimi dhe çfarëdo që ne mund të bëjmë për turizmin, ne do ta bëjmë me patjetër. Në aspektin e mbështetjes direkte, ne kemi bërë atë që duhet dhe besoj se kemi bërë atë që normalisht mund të bëjë shteti deri në atë pikë. Por në aspektin e mbështetjes indirekte, por shumë të rëndësishme, të përmirësimit të të gjithë hapësirës dhe klimës në të cilën operon industria e turizmit, ne mund të bëjmë shumë e vazhdojmë të bëjmë. Sot, ne po ecnim nëpër një pjesë të Durrësit, ku po bëhet një risistemim i gjithë trotuarëve dhe i rrugëve dhe vetëm nga sistemimi i asaj infrastrukture aty, menjëherë është vënë re rritja e çmimeve të apartamenteve në atë pjesë. Është imediate. Ҫdo përmirësim që ne bëjmë në hapësirën dhe në klimën e të bërit biznes të turizmit, menjëherë e rrit cilësinë e ofertës tuaj dhe menjëherë rrit edhe mundësinë tuaj për të pasur më shumë kërkesë.”- tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb