NGA: KLODIANA HAXHIAJ* DURRES- Qentë rrugaçë janë kthyer në makth për banorët dhe pushuesit në plazhin e Golemit, të cilët japin alarmin dhe kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme. Pushuesit pohuan se hapësira e lënë për publikun në vendin e quajtur “Përroi i Agait” është kthyer në “rezidencë” qensh dhe se rrezikohen seriozisht prej tyre.

“E gjitha kjo hapësirë zotërohet prej tyre dhe të gjithë jemi të rrezikuar”, – deklaroi dje Sajmir Maloku, pushues pranë kompleksit “Xixa”. “Sapo bie muzgu, 12 qen të egër qëndrojnë në breg të detit dhe sulmojnë këdo që shkel në plazh apo bën xhiro. Ne që e dimë nuk dalim më, por turistët e huaj janë viktimë e kafshimit të tyre. Një pushues që po bënte vrap mbrëmë në plazh u sulmua nga qentë, të cilët e kafshuan. Është tmerr për ata që nuk e dinë! Ne lajmëruam policinë e postës së Golemit, ata erdhën, por nuk i vranë qentë. Na thanë që nuk kanë leje për t’i vrarë apo për t’i mbledhur. As në mëngjes nuk mund të dalësh në breg të detit. Deri në orën 6:30 ata janë zotër të plazhit dhe kanë kafshuar me dhjetëra banorë e pushues këtu”, – tha Maloku.

Ndërkohë, pushues të tjerë deklaruan se rastet e kafshimit nga qentë janë thuajse të përnatshme në plazhin e Golemit. Nga ana tjetër, pronarët e lokaleve u shprehën se janë shumë të penalizuar për këtë fakt, sepse kafshime nga qentë ka pasur edhe vitet e shkuara, ndërsa nuk janë marrë masa nga drejtuesit e komunës. Sipas pushuesve në plazhin e Golemit, gjatë ditës qentë fshihen në një zonë moçalore me kallama që gjendet midis rërës dhe rrugës. Mësohet se qentë endacakë ushqehen në kazanët e plehrave të zonës, duke u bërë rrezik për përhapjen e sëmundjeve.

“Ka pasur shumë raste kafshimesh nga qentë endacakë. Pavarësisht se për këtë problem janë lajmëruar organet kompetente, si komuna e Golemit apo policia e Kavajës, ende nuk është marrë asnjë masë. Por, zona e Golemit nuk është e vetmja që ka këtë problem. Kjo për faktin se qentë rrugaçë janë të përhapur në të gjithë zonën bregdetare. Shqetësimi i kafshimit nga qentë endacakë është ngritur vazhdimisht nga shoqatat e hotelierëve të Adriatikut në takime me zyrtarët e shtetit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: