Drejtori i Policisë Rrugore të Tiranës, Mitat Tola në një prononcim për gazetarët tha se policia ka marrë masa që të garantojë lëvizje sa më pa probleme për të gjithë ata qytetarë që udhëtojnë drejt destinacioneve turistike.

Sipas tij, masat janë marrë që në muajt prill e maj, ndërsa për të garantuar sigurinë e mjeteve policia rrugore ka angazhuar edhe shërbime shtesë, kryesisht në akset që të çojnë drejt plazheve.

“Sezoni ka filluar tashmë, edhe ne kemi filluar herët me masat përgatitore, që në muajt prill- maj. Polica rrugore është e vendosur në të gjithë akset rrugore, kryesisht në zonat turistike. Jemi të përqëndruar dhe kemi shërbime shtesë. Monitorojnë trafikun, ndërhyjmë për zhbllokimin e tij dhe bëjmë kujdes që drejtuesit të mos i shkelin rregullat”,- tha ai.

Ndër shkeljet më të shpeshta gjatë këtyre kohëve, Tola renditi shpejtësinë, konsumimin e alkoolit.
Ai tha ndër të tjera, se një risi e këtij sezoni ka qënë edhe dërgimi i gjobave në adresën e shkelësit.
“Ka filluar të bjerë numri i masave me ndalim. Janë rritur masat e gjobave në mungesë që tani i dërgojmë me postë në shtëpinë e qytetarëve”.

Por, pavarësisht masave të marra, Tola renditi edhe disa prej akseve ku ka problematika dhe trafik të rënduar.
“Akset më problematike janë autostrada Tiranë-Durrës, pjesa e Gjirit të Lalzit, pjesa nga Durrësi në drejtim të Vlorës, Fieri ka njëfarë lehtësimi për shkak të by pass-it. Problematike mbetet zona e Vlorës dhe Sarandës. Pjesë problematike është edhe Fushë-Kruja për shkak të punimeve rehabilituese që po ndodhin në hyrje të qytetit”,- tha Tola, ndërsa rekomandoi pushuesit që zgjedhin jugun të kalojnë nga Elbasani që të mos mbeten në trafikun e Durrësit.

Sa për aksidentet rrugore, Tola shtoi se ky 6 mujor, krahasuar me atë të një viti më parë kanë shënuar ulje. “6 mujori i këtij viti ka shënuar një numër më të ulët se një vit më parë, 60 apo 70 aksidente më pak. Trendi është ulës”,- theksoi Tola.

Aksidentet rrugore vijojnë të përgjakin rrugët e Shqipërisë, sidomos me fluksin e shtuar të automjeteve gjatë sezonit turistik.
Në muajin korrik 2019 janë publikuar në media 25 aksidente automobilistike me një bilanc, 5 të vdekur, 45 të plagosur, prej të cilëve në 50% të rasteve në gjendje të rëndë dhe shumë të rëndë shëndetësore.

Ndërsa në muajin qershor 2019 bilanci është trefish më i lartë në raport me jetët e humbura.
Në media janë raportuar përmes gazetarëve të terrenit 53 raste aksidentesh me një bilanc 17 të vdekur, 54 të plagosur, prej të cilëve në 65% e rasteve në gjendje të rëndë dhe shumë rëndë shëndetësore.

Në shumë prej aksidenteve viktima kanë qenë kalimtarë të rastit.
Vetëm gjatë muajit qershor 2019 kanë humbur jetën nga aksidentet automobilistike 7 këmbësor ndërsa 11 të tjerë kanë marrë plagë të rënda dhe shumë të rënda. Bilanci është më i ulët për muajin korrik ku në media janë raportuar vetëm 4 aksidente të rënda ku janë përfshirë këmbësorë. Bilanci, 2 të vdekur dhe 2 të plagosur rëndë.

Në rastet e raportuara nga gazetarët e terrenit në News24 dhe BalkanWeb, në dy muajt e sezonit të verës qershor-korrik 2019, në 4 aksidente drejtuesit e automjeteve jo vetëm që nuk i kanë ofruar ndihmën e parë të aksidentuarit, detyrim ligjor i sanksionuar në nenin 187 të kodit rrugor, por janë larguar edhe nga vendi i ngjarjes duke rënduar pozitën e tyre penale. Në ka raste të plagosur kanë mbetur turistë të huaj, kalimtarë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb