TIRANE– Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës ka realizuar një plan masash të marra për sezonin turistik për mirëmbatjen dhe përfundimin e punimeve në disa nga akset kryesore në vendë. Në prag të çeljes së sezonit turistik, MTI dhe ARRSH theksojnë se prioritet mbetet mirembatja e akseve nacionale në vend.

Nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, MTI ka intensifikuar punën për finalizimin e punimeve dhe riparimin e disa segmenteve rrugore nacionale, që të çojnë drejt zonave turistike të vendit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar ndërhyrjen në segmentin e frekuentuar Orikum-Llogara, në zonën e Dukatit, me problematikë të shfaqur prej disa vitesh me rrëshkitjen e dherave. Zona prej 3 km e rrëshkitjes në zonën e Dukatit është korrigjuar provizorisht, deri sa rruga të zhvendoset në një sipërfaqe më të qëndrueshme. Drejtuesit e mjeteve mund të lëvizin pa pengesa në këtë segment rrugor, që paraqiste rrezikshmëri të lartë.

Projekt tjetër me rëndësi është segmenti Qafë Thanë-Lin-Pogradec, me gjatësi 17.6 Km, ku është përfunduar asfaltimi në të gjithë gjatësinë e segmentit dhe brenda muajit Qershor do të plotësohet me elementet e sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, në funksion të sigurisë rrugore dhe qarkullimit komod të qytetarëve.

Segmenti Berat-Lushnjë (3 Lote), me gjatësi 32.15 Km, ku punimet po ecin me ritme të shpejta, aktualisht është siguruar shtrimi me asfalt në të gjithë gjatësinë e tij. Brenda Qershor do të instalohet sinjalistika rrugore dhe barrierat mbrojtëse metalike në këtë segment.
Gjithashtu vijon puna për rehabilitimin e segmentit Gjirokastër-Ura e Viroit.

Paralelisht me këto ndërhyrje dhe përfundim projektesh, ARRSH është në fazë proçedurale të rehabilitimit të disa segmenteve të tjera me rëndësi, si segmenti Gjirokastër-Korçë, ku është në proçedurë segmenti Ura e Leklit – Përmet, si dhe rruga që lidh sitin arkeologjik të Bylisit me aksin Levan-Tepelenë, ku puna për rehabilitimin e kësaj rruge lidhëse fillon brenda muajit Qershor.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës thekson se rëndësi të veçantë po i kushtohet mirëmbajtjes me bazë monitorimi të disa segmenteve me flusk me te larte qarkullimi në sezon turistik, siç është rruga nacionale Rrogozhinë-Butrint, apo segmenti Tiranë-Durrës.

MTI i bën apel gjithë qytetarëve të ruajnë elementët e sinjalistikës dhe inkurajojnë denoncimin e rasteve të dëmtimit apo vjedhjes së saj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: