Ekonomia e Portugalisë jeton nga turizmi. Gati 30 milionë pushues e vizitojnë çdo vit vendin. Industria e turizmit shpreson shfuqizimin sa më shpejt të kufizimeve për udhëtimet për ta rihapur në qershor turizmin.

“Ne mendojmë, që në qershor sërish do të vijnë turistë të huaj në Algarve. Jo aq shumë si një vit më parë, por ata do të vijnë.” João Fernandes, drejtori i Shoqatës së Turizmit në rajonin numër një turisitk të Portugalisë është optimist: “Ne planifikojmë ndërkohë me partnerët vendas dhe ndërkombëtar, që të sigurohet gjithçka.”

Shefi i turizmit s’mund të bëjë tjetër veçse të punojë në këtë drejtim, sepse nga rreth 20 milionë turistë në vit në Algarve gjatë vitit 2019 rreth 15 milionë syresh vinin nga jashtë vendit. Pa turistë ky rajon në jug të vendit nuk mund të mbijetojë ekonomikisht, shumë vende pune lidhen direkt ose indirekt me këtë degë të ekonomisë.

Por jo vetëm Algarve, e gjithe Portugalia rrezikohet nga kolapsi ekonomik nëse mungojnë turistët, sepse ky vend nuk ka ndonjë industri të fuqishme, ndaj turizmi përbën 15 përqind të produktit bruto në vend. Vitin e kaluar Portugalia pati rreth 27 milionë pushues, që nga kriza e borxheve turizmi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, sepse numri i turistëve është rritur në vazhdimësi. Nëse tani rënia është rreth një të katërtën, rendimenti ekonomik do të bjerë me të paktën 2,9 përqind, ka llogaritur Enti shtetëror i Statisitikave. Të tjerë analistë llogarisin madje humbje me deri në 6 përqind. Premisa katastrofale për rreth 100.000 sipërmarrës – kryesisht të nivelit të mesëm si dhe për rreth 400.000 vende pune që varen direkt prej turizmit.

Në fillim të qershorit restorantet dhe hotelet do të hapen sërish

Pas kufizimeve të forta gjatë muajit mars humbja qe e madhe, pasi turizmi në Portugali u paralizua tërësisht. Relativisht shpejt qeveria në Lisbonë ndërmori masat e mbylljes për mbrojtjen nga virusi Corona. Por më së voni në fillim të qershorit restorantet dhe hotelet do të hapen sërish për të tërhequr sa më shpejt të jetë e mundur turistët. Për të fituar besimin e turistëve, autoriteti i Turizmit në Portugali ka vendosur përdorimin e stemës së higjenës, e cila do t’u jepet sipërmarrjeve turisitike.

“Jemi duke punuar në një udhëzues për sektorin e ekonomisë, në mënyrë që të respektohen rregullat e higjenës dhe të ruajtjes së distancës”, thotë shefi i turizmit në Algarve, Fernandes. Po shqyrtohet edhe mundësia e një të ashtuquajture pasaportë për pushuesit përpara nisjes së udhëtimit lidhur me testin për virusin COVID-19. Megjithatë ka ende mjaft pikëpyetje, se kur mund të nisë turizmi vërtetë në Portugali, kur do të hapen plazhet e bllokuara? Si duhet ta ruajnë turistët distancën në plazhe? Sa turistë lejohen të hipin në një automjet apo anije turistike? E kush do të kontrollojë respektimin e rregulloreve?

“Ne nuk mundemi dhe nuk duam të jemi si policë për çdo pushues nëpër plazhe”, thekson João Fernandes. por ai tërheq vëmendjen, se deri tani Portugalia ka qenë e sukseshme në luftimin e pandemisë. Në të gjithë vendin ka më pak se 1000 të vdekur prej COVID-19, madje në rajonin turisitk Algarve numri i vdekjeve është pak mbi dhjetë.

/DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb