Botërori 2022 ka mësuar edhe kombëtaret e fundit të kualifikuara nga Afrika, përkatësisht Senegal, Gana, Kameruni, Maroku dhe Tunizia. Mes Senegalit dhe Egjiptit u përsërit finalja e Kupës së Afrikës. Ndeshja e parë në Egjipt kishte përfunduar 1-0 për vendasit dhe Senegali në shtëpi fitoi me të njëjtin rezultat. Sfida shkoi në shtesë, ku nuk pati më gola, ndërsa nga penalltitë, Salah me shokë dorëzohen.

Gana barazoi 1-1 në Nigeri dhe siguroi kualifikimin në Botëror pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë, pasi goli jashtë fushe vlen akoma në duelet e futbollit afrikan. Partey i Arsenalit kaloi kombëtaren mike në avantazh (9’), por vendasit reaguan shpejt dhe vendosën baraspeshën me anë të William Troost-Ekong. Lojtari i Watford ktheu në gol një penallti në mesin e pjesës së parë.

Kameruni realizoi një përmbysje të madhe në Algjeri. “Luanët e Paepur” kishin humbur 0-1 në shtëpi, ndërsa dje triumfuan 1-2 në Blida të Algjerisë, duke u kualifikuar në Katar 2022 falë golit jashtë fushe. Choupo-Moting kaloi miqtë në avantazh në pjesën e parë. Ndeshja shkoi në shtesë dhe Touba për vendasit tundi rrjetën në 118’, por Ekambi për miqtë shënoi në 124’ dhe i dhuroi Kamerunit kualifikimin drithërues.

Maroku nuk hasi probleme në shtëpi përballë Republikës Demokratike të Kongos, rival që pasi e mposhti 0-2 në transfertë e mundi edhe 4-1 në shtëpi. Achraf Hakimi ishte një nga autorët e golave për Marokun. Festoi edhe Tunizia, që iu fal fitores 0-1 në ndeshjen e parë për t’ia dalë përballë Malit. Sfida e kthimit përfundoi në barazim pa gola.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb