Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, në intervistën para ndeshjes me Young Boys për “Europa League”, është shprehur se pavarësisht rëndësisë që ka ky kompeticion, kampionati mbetet parësor për skuadrën e tij. Numri 1 i pankinës korçare gjithashtu ka treguar edhe formacionin që do të hedhë në fushë, duke shtuar se është i kufizuar nga mungesat dhe rotacionet e pashmangshme.

Për ndeshjen kundër Young Boys

“Kemi një përballje të vështirë se nesër kemi një ekip që ka pretendimet e veta për kalimin e grupit. Ky është një ekip që në turin e dytë të eliminatoreve të Champions ka eliminuar një ekip të fortë si Dinamo e Kievit.

Vështirësia qëndron te mungesat. Osmanit të konfirmuar i shtohet Radasi, për arsye dëmtimi nuk ishte prezent këtë javë. Kishim probleme edhe me Nimagën dhe Muzakën për dëmtimet që morën. Ana tjetër është që kjo ndeshje na ka qëlluar mes dy ndeshjeve me rivalët për titull, Partizanin dhe Kukësin. Kjo do të thotë se rotacionin që e bëmë pas Dinamos së Kievit, jemi të detyruar ta bëjmë në funksion të kampionatit, se ai është objektiv primar.

Nuk do të thotë se do të dorëzohemi, do të bëjmë gjithçka mirë, të ndërgjegjshëm që do të djersitim shumë në këtë takim, se ai ekip ka elementë të mirë dhe bazohet në ekuilibër taktik. Nëse duam të arrijmë te fitorja, duhet që përveç gjendjes fizike, edhe psikologjikisht të jemi në një nivel që këtë lloj kondicioni fizik që kemi, ta menaxhojmë sa më mirë që të jetë e mundur”.

Njohuritë për Young Boys

“Unë do të thosha që e kemi ndjekur, e kam ndjekur personalisht, por edhe grupin. Edhe nesër paradite do të bëjmë analizën e fundit me video për të treguar se kush janë pikat e dobëta të kundërshtarit, ekip që ndryshon modulin brenda lojës. Ka lojtarë agresivë dhe ekuilibër shumë të mirë, të aftë në dyluftimet një kundër një. Edhe ky ekip ka anët e veta jo të forta, por nuk mund të prezantohemi si në çdo takim tjetër, çështjet i kemi trajtuar me grupin për të synuar rezultat pozitiv”.

Për fokusin e skuadrës në këto momente

“Do të thosha që energjitë nesër janë të përqendruar te Jang Bojs. Në këto 9 takime, kemi 4 fitore, 3 barazime e 2 humbje. Duke u nisur edhe nga kundërshtarët besoj se jemi përballur frontalisht me ta, nuk kemi ndenjur në mbrojtje. Rezultatin pozitiv do ta kërkojmë nëpërmjet një loje të mirë, dua të luajmë mirë nëse duam të shkojmë edhe më përpara”.

Për formacionin me të cilin do të luajë nesër

“Të gjithë e dinë se kush është formacioni që do të startojë nesër, se ne nuk e përgatitim manovrën vetëm në anën teorike, e bëjmë sa fillon java në përgatitjet në fushë, lojtarët e dinë. Mund të them që Xhejms do të plotësojë treshen e qendrës në mesfushë me Lilajn e Nimagën.

Kemi në mbrojtje rikthimin e Jashanicës, pikë e fortë e jona, për të plotësuar mungesën e Radas. Kemi Kristin (Vangjeli), është tashmë lojtar vendimtar në mbrojtje me eksperiencë. Këto plotësohen nga Aliti dhe Mici. Besoj se me përjashtim të Alitit që ka luajtur në dy ndeshjet e fundit, pjesa tjetër ka qenë prezent edhe në kampionatin e kaluar. Ndërkohë, para do të jetë treshja Gavazaj-Soue-Sahiti”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb