Pritja ia vlejti. Shtyrja me 24 orë për shkak të kushteve atmosferike nuk e zbehu aspak Klasiken e futbollit latin mes Boka Juniors dhe River Pleit.

Atmosferë elektrizuese në tribuna, spektakël dhe gola në fushë, ndeshja mes dy rivalëve të zjarrtë shpërbleu të gjitha pritshmëritë për finalen e parë historike në Kupën Libertadores, e cila u mbyll në barazim 2-2. Me shtysën e tifozëve vendas dhe pa asnjë tifoz kundërshtar në stadium, vendasit ndezën euforinë në mitikun “Bonbonera” kur kaluan në epërsi me Abila në minutën e 34-rt.

Por entuziazmi i Boka Juniors zgjati shumë pak. Pas vetëm një minute Prato barazoi rezultatin për River Pleit. Pjesa e parë e parë do të rezervonte një mbyllje plot shpresë për të zotët e shtëpisë, pasi në minutën shtesë, Benedeto ktheu edhe një herë skuadrën e tij në epërsi.

Gjërat ndryshuan sërish në pjesën e dytë. Pa fat vendasit, që me autogolin e Iskuideros I dhuruan kundërshtarëve golin e barazimit, ndërsa trofeu i Kupës Libertadores do të vendoset vetëm në finalen e kthimit. Në sfidën e 24 nëntorit peshorja e favoritit anon nga River Pleit, që ka avantazhin e golave në fushën kundërshtare dhe luan në shtëpi dhe në një stadium të mbushur vetëm me tifozët e tij.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb