Vllaznia do ta nisë vitin në një transfertë të vështirë në kryeqytet, teksa do të përballet me kryesuesit e Partizanit. Një sfidë delikate për kuqeblutë, të cilët të pozicionuar në vendin e pestë të renditjes, nuk mund t’i lejojnë vetes gabime. Një gjë të tillë e pranon edhe vetë trajneri Josa, i cili në konferencën për shtyp u shpreh se duhet rezultat pozitiv:

“Sfida me Partizanin vërtetë është delikate për ne, sepse rezultati i saj mund të vendosë shumë gjëra për të ardhmen, por jemi të vendosur për të bërë më të mirën dhe padyshim që do të kërkojmë të mos dalim pa rezultat pozitiv nga ajo.”

Do të jetë hera e parë që Vllaznia do të luajë në stadiumin e ri të Partizanit, por kjo sipas Josës nuk do të thotë asgjë, pasi terreni është i njëjtë për të dyja skuadra dhe nuk do të ketë ndikim.

“Fakti që luajmë në një fushë të re, nuk do të thotë asgjë. Partizani është stërvitur dhe ka luajtur ndeshje aty, por kjo nuk besoj se ndikon. Ne do të mundohemi të përshtatemi shpejt dhe të bëjmë lojën tonë, me besimin për të bërë më të mirën dhe për të marrë rezultat pozitiv”.

Për Vllazninë është sfidë shumë e rëndësishme, një fitore do të fuste totalisht në shinat e pretendimeve për titull, pasi do të ngushtonte në 4 pikë diferencën me Partizanin, ndërsa humbja mund ta nxjerrë jashtë loje për titull ekipin shkodran.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb