Në datën 26 shkurt 2020, Guvernatori Sejko mbajti një leksion në ambientet e Shkollës Ekonomike dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE) me temë “Sfidat financiare në ekonomitë e vogla të hapura – perspektiva e bankës qendrore”.

Ky leksion u organizua në kuadër të bashkëpunimit që Banka e Shqipërisë ka ndër vite me Shkollën Ekonomike dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE) dhe u ndoq nga ekspertë ndërkombëtarë në fushën e ekonomisë, akademikë të Universitetit, nga studentë të huaj dhe shqiptarë, që studiojnë pranë kësaj shkolle.

Leksioni i prezantuar nga Guvernatori Sejko ishte i konceptuar në katër seksione: zhvillimet dhe trendet ekonomike në vendet e rajonit, dobësitë strukturore në sektorin financiar e bankar në Shqipëri, masat e ndërmarra dhe rezultatet e politikave të ndjekura për t’i adresuar këto dobësi, si dhe sfidat e të ardhmes në politikëbërjen e Bankës së Shqipërisë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Lidhur me panoramën ekonomike shqiptare, Guvernatori Sejko theksoi se ritmi i rritjes ekonomike ka vijuar të jetë pozitiv, i shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave, si dhe me një tendencë të qartë të kthimit të ekonomisë në ekuilibrin e saj afatgjatë. Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të vyer nëpërmjet politikës monetare lehtësuese në mbështetje të kësaj rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe të garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

Në vijim, Guvernatori prezantoi në mënyrë të detajuar masat e ndërmarra dhe rezultatet e politikave të ndjekura nga institucioni që ai përfaqëson,  ku u shpreh se në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë, krahas ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, kanë qenë gjithashtu qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, nxitja e kreditimit të shëndetshëm, nxitja e përdorimit të monedhës kombëtare në sektorin financiar, reduktimi i kredive me probleme, zhvillimi i sistemit të pagesave, edukimi financiar etj.

Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë së bashku me Shoqatën Shqiptare të Bankave, me synim nxitjen e kreditimit si një burim i pazëvendësueshëm për rritjen ekonomike dhe ndërmjetësimin financiar, krijuan Platformën për Rigjallërimin e Kreditimit, e cila përbën një plan të përbashkët veprimesh që synon përmirësime rregullative dhe iniciativa konkrete.

Gjithashtu, Guvernatori e njohu auditorin me projektligjin “Për shërbimet e pagesave” dhe risitë që ligji do të sjellë në tregun bankar. Guvernatori Sejko theksoi se me miratimin e këtij projektligji do të krijohen kushtet e favorshme për promovimin e risive teknologjike, si dhe do të rritet konkurrenca në treg.

Gjatë leksionit, Guvernatori i njohu studentët me mënyrën se si Banka e Shqipërisë  është përballur me sfidat e tregut financiar në Shqipëri. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë ka punuar për përmirësimin e mëtejshëm të arkitekturës rregullatore të sistemit financiar dhe për forcimin e rrjetave të sigurisë financiare që kanë kontribuar në konsolidimin e mëtejshëm të këtij sistemi.

Në vijim, Guvernatori prezantoi mësimet e nxjerra përgjatë zbatimit të politikave të ndërmarra, rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregut financiar, si dhe sfidat e reja të lidhura me inovacionin në këtë treg e me integrimin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në proceset e globalizimit.

Një nga dobësitë strukturore më të theksuara të sektorit bankar në Shqipëri dhe gjithashtu ndër sfidat më të rëndësishme të Bankës së Shqipërisë ka qenë ulja e nivelit të kredive me probleme, i cili kishte arritur vlerën maksimale në 25% të stokut të kredive 5 vite më parë. Falë planit të masave për reduktimin e nivelit të kredive me probleme, i ndjekur nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera, u arrit që ky nivel të nisë e të ruajë një tendencë të qëndrueshme rënëse, për të arritur minimumin e tij historik prej 8.3% në muajin janar 2020.

Guvernatori e mbylli leksionin duke theksuar se si politikëbërës duhet të mësojmë nga e kaluara, në mënyrë që e ardhmja të jetë më e sigurt.

Ky leksion u ndoq me interes nga të pranishmit dhe auditori u tregua tepër aktiv duke shfrytëzuar rastin për t’i drejtuar Guvernatorit pyetje mbi argumente të ndryshme që lidhen me bankën qendrore dhe ekonominë në përgjithësi.

Në përfundim, Guvernatori Sejko u uroi studentëve suksese në studimet e tyre. Gjithashtu ai zhvilloi takime me profesorë dhe studentë shqiptarë që punojnë dhe studiojnë pranë këtij universiteti, duke i njohur ata nga afër me politikat ambicioze të Bankës së Shqipërisë, për thithjen e burimeve njerëzore të kualifikuara në shkollat prestigjioze, siç është edhe LSE.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb