Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet në ditën e katërt për dy ndeshjet e qershorit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024. Skuadra ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore të enjte, ndërsa grupi po kompletohet gradualisht me mbërritjen e disa prej lojtarëve të tjerë, që janë në listën e trajnerit Silvinjo.

Me grupin sot në Shtëpinë e Futbollit janë bashkuar Berat Gjimshiti, Keidi Bare, Nedim Bajrami, Ardian Ismajli si edhe Naser Aliji, i cili u thirr së fundmi për të zëvendësuar Ivan Balliun e dëmtuar. Në dy ditët e ardhshme pritet të mbërrijnë edhe Elseid Hysaj, Taulant Seferi, Jasir Asani dhe Kristjan Asllani për të kompletuar listën e 26 lojtarëve të ftuar për sfidat zyrtare.

Të gjithë lojtarët janë stërvitur me ngarkesë të plotë, teksa fillimisht kanë punuar në palestër e më pas kanë punuar në fushë. Ushtrime fizike dhe me topin, si edhe prova për situata të ndryshme të lojës për më shumë se një orë sipas programit.

Tashmë që grupi është thuajse i kompletuar edhe stërvitja intensifikohet gradualisht në prag të ndeshjes së parë ndaj Moldavisë që do të luhet më 17 qershor në stadiumin “Air Albania” të Tiranës. Atmosfera në grup është mjaft e mirë dhe të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: