Tirana do të presë një grup reporterësh të rinj nga gjithë Ballkani, si pjesë e “Youth Trail Initiative”, një iniciativë e OSBE-së. Për këtë konkretizuar këtë nismë, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, së bashku me Ambasadorin e OSBE-së, Vincenzo Del Monaco dhe Ministrin e Shtetit për Rininë, Bora Muzhaqi, biseduan mbi programin e kësaj iniciative dhe kalendarin e aktiviteteve “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Tirana do të kthehet në një histori suksesi të Kryeqytetit Evropian të Rinisë. “Në mes të Tetorit do të fillojmë me pritjen e gazetarëve të rinj nga gjithë Ballkani, nën drejtimin e OSBE-së, si një mundësi për të prezantuar Tiranën dhe për të zgjuar interesin e të rinjve për vitin kur ne do të jemi Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Ne do të përgatitemi për një prezantim të qytetit dhe secili prej tyre, falë kësaj mbështetje nga OSBE, të mund të kthehet dhe të raportojë si është Tirana sot”, -tha Veliaj.

Ambasadori Vincenzo Del Monaco u shpreh se ka biseduar me kryebashkiakun Veliaj për të konkretizuar një numër iniciativash nën drejtimin OSBE-së në Tiranë. “Jemi duke konkretizuar një pjesë të nismave në fushën e medias dhe gazetarëve të rinj. Ne do të kemi gazetarë të rinj që do të vijnë në Tiranë shumë shpejt, si pjesë e “Youth Trail Initiative”, një iniciativë e OSBE-së. Jemi drejt përfundimit të detajeve të programit të këtyre profesionistëve të rinj, që qëndrimi i tyre në Tiranë e Shqipëri të jetë sa më i bukur dhe domethënës”, -nënvizoi Del Monaco.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë politikash në mbështetje të të rinjve, duke filluar nga bursat gjer te startup-et.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: