Jeta moderne i ka ndryshuar sfidat me të cilat duhen të përballen çiftet përpara se të marrin hapin e martesës. Nga shkëmbimi i fjalëkalimeve në internet dhe deri te terapia në çift, ja çfarë e forcon lidhjen tuaj
Është e vërtetë që shumë çifte pasi njihen janë entuziastë për të kaluar jetën së bashku. Megjithatë, përtej dëshirës së madhe për të qenë sa më të lidhur me njëri-tjetrin, jeta martesore mund të sjellë disa befasi. Si të tilla, masat më të mira që mund të merrni përpara se të filloni jetën së bashku janë nga më të ndryshmet.
Ju do ta kuptoni se jeni me personin e duhur nëse u keni mbijetuar eksperiencave të mëposhtme.
Shkëmbimi i fjalëkalimeve
Sado që mund të quhet një teknikë e pashëndetshme, të gjithë e bëjnë këtë gjë dhe nuk mund t’i shmangen për shumë kohë nga fillimi i një marrëdhënieje afatgjatë. Shkëmbimi i fjalëkalimeve është një nga sfidat që çdo lidhje duhet t’i mbijetojë përpara se të kalojë në një fazë më të lartë siç është martesa.
Nëse doni të vazhdoni të ruani privatësinë tuaj duhet ta bëni po ashtu të qartë se nuk doni të shkëmbeni asnjë fjalëkalim dhe të dhënë private të jetës suaj. Nëse personi tjetër do të jetë dakord me këtë, kjo është gjithashtu një sfidë e kaluar me sukses.
Të bini dakord për programet që do të ndiqni
Programet e preferuara televizive janë një tjetër sfidë. Duke qenë se shumë seriale të kohëve të fundit janë bërë të preferuarat e njerëzve, të cilët e gjejnë veten të prezantuar në to, nëse nuk jeni në koherencë me parapëlqimet e personit tuaj të zemrës kjo mund ta dëmtojë marrëdhënien tuaj.
Ju do të mund të mësoni jo vetëm se çfarë pëlqen partneri apo partnerja juaj, por gjithashtu edhe se cilat janë disa nga preferencat e tij/saj për karakterin e personave, bazuar në personazhet e preferuara.
Kompromisi për telekomandën e televizorit është gjithashtu një kompromis i rëndësishëm që do t’ju duhet ta mësoni përpara se të lidhni këmbët.
Debati
Sado që të përpiqeni ta shmangni debatin në lidhjen tuaj, nuk mund të quheni një çift i vërtetë nëse nuk i mbijetoni një debati. Janë pikërisht përplasjet e ideve ato që vënë në provë dashurinë dhe tolerancën tuaj për njëri-tjetrin.
Respekti është një tipar shumë i rëndësishëm i çdo lidhjeje, gjë që del më në pah kur dy njerëz ndajnë pikëpamje të ndryshme për një çështje. Martesa mund të përfshijë shumë grindje të tilla, në fillimet e veta përpara se partnerët të mësohen me njëri-tjetrin, por edhe gjatë jetës.
Mënyra se si një person sillet gjatë debatit do t’ju mësojë shumë për të.
“Tradhtia”
Eksploroni përkufizimin e tradhtisë. Besimi është një shtyllë e rëndësishme e martesës. Duke qenë se tradhtia lidhet me shumë gjëra të caktuara në varësi të njeriut, është e rëndësishme që ju të jeni dakord për atë që do të konsideroni tradhti në lidhjen tuaj.
Tradhtia emocionale është vrastar i një marrëdhënieje, po aq sa edhe tradhtia seksuale. Për këtë arsye tregohuni të kujdesshëm në diskutimin e vendosjes së kufijve të tradhtisë, pasi nga kjo do të varet fati i marrëdhënies suaj.
Përditshmëria
Përpara se t’i drejtoheni altarit, duhet të bëni edhe një kontroll të jetës suaj të përditshme. Si kalon ajo dhe çfarë zakonesh të personit tuaj të zemrës janë të durueshme ose të padurueshme për ju.
Gjithashtu, nuk duhet të harroni që të jeni sa më realë në veprimet tuaja. Dëshira për t’u dukur sa më perfektë mund t’ju çojë në një rrugë qorre në lidhjen tuaj. Mësohuni me gjërat e përditshme dhe pranoni nevojat tuaja fiziologjike si diçka të pashmangshme dhe fare natyrale.
Terapia në çift
Ju mund të mendoni se lidhja juaj është e shëndetshme, por fjala e një specialisti është më e saktë dhe më e nevojshme. Në këtë aspekt, mos hezitoni t’i drejtoheni një terapisti për të konstatuar gjendjen e lidhjes suaj.
Këshillat që do të merrni jo vetëm që do t’ju shërbejnë për të njohur më mirë veten dhe tjetrin, por gjithashtu për të kuptuar se si mund ta bëni marrëdhënien tuaj të funksionojë më mirë.
Martesa është një hap i rëndësishëm, ndaj disa gjëra duhen peshuar përtej vullnetit tuaj të mirë apo bazuar në reagimin tuaj emocional për tjetrin.
Prindërit
Sado frustruese që të mund t’ju duket, prindërit janë një nga sfidat më të vështira që duhet të kapërceni përpara se të hidheni për në jetën bashkëmartesore. Prindërit tuaj apo të partnerit/es kanë ndikuar jashtëzakonisht në skalitjen e personalitetit tuaj dhe mënyra se si një person trajton prindërit e tij tregon shumë për të.
Duke qenë se ata do të jenë përherë të pranishëm në jetën tuaj, prova e vjehrrit dhe vjehrrës do t’jua forcojë më shumë lidhjen ngaqë ju do t’i tregoni njëri-tjetrit se çfarë jeni në gjendje të bëni për të ruajtur mirëqenien e dashurisë suaj. (shqip)
(er.nu/BalkanWeb)