Pas dy barazimeve pa gola me Partizanin, i pari në kampionat dhe i dyti në Kupën e Shqipërisë, Laçin e pret sot një transfertë mjaft e vështirë në Korçë.
Skënderbeu vendës po kalon një moment të mirë dhe ka hyrë bindshëm në “vallen” e mbijetesës në Superiore me pikët e marra së fundi, kështu që kurbinasit e dinë shumë mirë që kanë përpara një 90- minutësh shumë të fortë.
Megjithatë, skuadra e trajnerit Moriero ka treguar se di të befasojë, madje edhe në fusha të vështira, siç bëri pak javë më parë në Elbasan. Laçi ndjen rrezikun në zonën e fundit të tabelës, ku ka një ngjeshje të skuadrave, ndaj dhe çdo ndeshje shihet si një finale.
E tillë do të jetë edhe kjo e sotmja në Korçë, ku ndoshta edhe një pikë do të bënte punë. Sigurisht që edhe dendësia e ndeshjeve, duke llogaritur edhe Kupën, ka ndikimin e vet, por e njëjta situatë është edhe për kundërshtarin. Kurbinasit do të tentojnë të shfrytëzojnë “armët” e tyre më të forta në Korçë për të mos gabuar ndaj një rivali direkt.